Burgjet greke janë bërë të pasigurta, teksa po kthehen më famëkeqet për shkak të ngjarjeve të rënda kriminale, deri në vrasje të dënuarish, mes tyre edhe shqiptarë.
Pas Koridhalosit, problem për autoritetet greke është kthyer edhe Burgu i Malandrinos, ku gjithashtu vuajnë dënimet shumë shqiptarë, mes tyre edhe Klodian Lekocaj.
Një tjetër bastisje në burg u krye nga anëtarë të FBI-së greke sot në mëngjes (13 mars), duke rezultuar në arrestimin e katër të burgosurve. Besohet se mes të arrestuarve është dhe Lekocaj, që shkaktoi incident gjatë kontrolleve, pasi kundërshoi hyrjen në qeli dhe dogji një celular.
Gjatë operacionit, u kryen kontrolle në 16 qeli dhe, ndër të tjera, u gjetën dhe u sekuestruan sa vijon:
-2 thika dhe një fëndyell i improvizuar
-4 telefona celularë me karikues
-Unazë me 3 çelësa
-Shënime të shkruara me dorë
“Në operacion morën pjesë oficerë policie nga Nëndrejtoria e Narkotikëve, me ndihmën e Nëndrejtorive të Inteligjencës dhe Veprimeve Speciale, Ndjekjes Penale të Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, Luftës kundër Trafikimit dhe Trafikimit të Qenieve Njerëzore të Personave dhe Mallrave, si dhe një qen policie”, informon media greke “Protothema”, por nuk specifikon kombësinë e të arrestuarve dhe të kujt ishin qelitë e kontrolluara.
Të arrestuarit u dërguan në prokurorinë kompetente, ndërsa provat do të shqyrtohen nga Drejtoria e Hetimeve Penale.
Por në këtë burg po vuan dënimin edhe shqiptari Klodian Lekocaj, i cilësuar si “bosi i mafias së burgjeve” në Greqi.
I dënuari përjetë u përfshi në një incident gjatë kontrolleve që u bënë në qeli sot.
Sipas mediave greke, efektivët e Njësisë për Luftimin e Krimit të Organizuar kanë mbetur të surprizuar kur kanë tentuar të hyjnë në qelinë e 49-vjeçarit. Lekocaj kishte bllokuar derën nga brenda duke vendosur një dry të madh, si dhe një pengesë pas derës, në mënyrë që policët të mos mund të hynin.
Për të hyrë brenda, policia u detyrua të thyejë derën e qelisë. Në momentin që arritën të futeshin, ata konstatuan se i dënuari kishte shkatërruar një telefon celular dhe i kishte vënë zjarrin pajisjes.
Celulari u sekuestrua dhe pritet të dërgohet në laboratorët kriminalistikë, me shpresën se të dhënat nuk janë dëmtuar plotësisht. Hetuesit synojnë të zbulojnë përmes tij kontaktet dhe komunikimet e 49-vjeçarit.
Klodian Lekocaj është dënuar si porositës i vrasjes së avokatit Mihalis Zafirópulos, ndërsa dyshohet se është i përfshirë edhe në të paktën tre vrasje të tjera.


