EMISIONI VETTING
Nga formulari i deklarimit të pasurisë dalin në pah fakte për mosdeklarimin e të ardhurave nga vetë bashkëshorti i Erilinda Lalas, Taulant Godroli, që rezulton menaxher pranë hotelit “Take” në Borsh, Himarë. Në këtë restorant-hotel, kuponi tatimor nuk ekziston dhe bashkëshorti Taulant Godroli rezulton menaxher i padeklaruar në vitin 2025, sipas formularit të deklarimit të pasurisë në ILDKPKI, të siguruar nga “Vetting”.
Pra, drejtoresha e Tatimeve Tiranë nuk bën deklarimin e pasurisë së bashku me personat e lidhur.
Kamera e fshehtë 1
Vetting – Sa paguhet si hotel?
Vetting – Në sezon?
Kamarierja – Tani po, në sezon?
Kamarierja – Deri në 150 mijë lekë për dhomë nata ka shkuar në sezon. Mëngjesi dhe çadra janë të përfshira.
Vetting – Vetëm mëngjesi ka, ka kuzhinë, restorant e të gjitha?
Kamarierja – Po, po, të gjitha.
Vetting – Sa dhoma ka?
Kamarierja – Ka 15 dhoma.
Vetting – Dhomat dyshe, besoj…
Kamarierja – Ka dhoma dyshe, treshe, katërshe dhe pesëshe.
Vetting – Domethënë 150 veta…
Kamarierja – 150 veta nuk i merr, por është një, dy, tre nga pesë. Pesëmbëdhjetë dhe katërmbëdhjetë dhe tre, njëzet e dy ka një kat.
Vetting – Njëzet e dy?
Kamarierja – Njëzet e dy, njëzet, gjashtëdhjetë e dy.
Vetting – Kushtet janë të mira, jo?
Kamarierja – Super. Po kur do t’i sjellësh?
Vetting – Po them në korrik, nuk besoj më përpara. Nuk e di si të bisedoj me ta, prandaj.
Kamarierja – Po mirë, në qoftë se do vish, më thuaj mua që të flas me ta.
Vetting – Kush e ka këtë?
Kamarierja – Unë. Të flas me ndonjë tjetër dhe të bëhem bashkë me ata.”
Gjatë bisedës, por edhe nga dokumentet e deklaruara në ILDKPKI, Taulant Godroli nuk ka bërë deklarimin si person i punësuar pranë hotelit si menaxher, duke ngritur dyshime se mund të jetë aksioner te ky hotel.
Kamera e fshehtë 2
Kamarierja – Urdhëro, të kesh numrin e telefonit. Të shënoj edhe të menaxherit unë këtu që ta kesh.
Vetting – Ma jep.
Kamarierja – Të shënoj edhe të menaxherit këtu që ta kesh. 067 ****.
Vetting – Taulant e ka ai, ë? (emrin)
Kamarierja – Po.
Pra, Taulant Godroli, përveç faktit që është i punësuar te hoteli ku nuk ka bërë deklarime, ka indicie edhe për konflikt të mundshëm interesi që mund të ketë ndodhur gjatë kohës që kompania ku ai ka qenë i punësuar është përballur në gjykatë me Komisionin e Prokurimeve Publike, ku Erilinda Lala ka qenë përfaqësuesja ligjore e institucionit.
“Vetting” i bëri një kërkesë për koment Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për rastin e Erilinda Lalas dhe për masat që janë marrë nga institucioni, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati asnjë koment nga institucioni.
Rasti i drejtoreshës së Tatimeve, i cili ngre dyshime të forta se mund të jetë prapa një projekti luksoz në Qerret të Kavajës, tregon se si mund të riciklohen paratë dhe të justifikohet pasuria. Vetëm se në këtë rast fjala i ngelet Prokurorisë së Posaçme, e cila ka në dorë një dosje të nxehtë që lidhet me kompaninë “Alko Impex”, Tatimet dhe Belinda Ballukun.


