Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka përmbyllur seancën paraprake për dosjen “Meta”, me të pandehur ish presidentin, ish bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi dhe tre të tjerë.
Gjykata pritet të vendosë të mërkurën që vjen nëse do ta kalojë për gjykim ose jo dosjen në ngarkim të tyre. Gjatë seancës, ish-Presidenti ka kundërshtuar akuzat ndërsa ka thumbuar edhe kryeministrin Edi Rama.
“Kam qenë shtetar dhe asnjëherë nuk kam abuzuar me detyrën. Kam bërë jetë të thjeshtë. Nuk kam lëvizur me charter dhe as kam pirë verë 33 mijë euro”, është shprehur ish presidenti gjatë seancës paraprake.
Kujtojmë që ndaj Metës rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Po ashtu, edhe Gjykata e Lartë shqyrtoi sot rekursin e tij për ndryshimin e masës së sigurisë, duke e rrëzuar dhe duke e lënë ish presidentin në burg.


