Godina e seancave plenare është rrethuar nga uniformat blu me qëllim mbarëvajtjen e protestës së opozitës.
Sot, kur edhe parlamenti do të votojë dy raportet për imunitetin e Ballukut, opozita ka njoftuar protestën, e cila do të zhvillohet si jashtë parlamentit ashtu edhe brenda. Ndërkohë mësohet se në gatishmëri janë 1500 efektivë policie.
Uniformat blu njoftuan një ditë më parë planin e masave. Protesta pritet të nisë në orën 10:00 dhe policia thotë se në kuadër të planit të hartuar, nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, do të kufizohet qarkullimi i automjeteve në rrugën “George W. Bush”.
Po ashtu, policia bën të ditur se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të përkohshme edhe në akse të tjera, ndërsa trafiku do të devijohet në rrugë alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.


