Pas investigimit në segmentin e shembur në rrugën që lidh Gjinarin me 7 fshatra, i përfshirë në projektin e qeverisë për “100 fshatrat turistikë”, “TakFak” pyeti në njësinë administrative Gjinar dhe bashkinë e Elbasanit.
Administratori i njësisë administrative të Gjinarit, thotë për mikrofonin e “TakFak” se kompania që ka ndërtuar rrugën është Fondi i Zhvillimit.
“Rruga është dëmtuar 2 herë, më e fundit 3 muaj më parë. Në muajin dhjetor, unë i bëra kërkesë bashkisë për të ndërhyrë sepse është çarë.
Herën e parë erdhën e bënë prapë ato të firmës, te Fondit të Zhvillimit, edhe u ça prapë, e dërgova prapë kërkesën”, shpjegon për “TakFak”, administratori i njësisë vendore të Gjinarit.
Gazetari i “TakFak” u interesua dhe në bashkinë e Elbasanit ku depozitoi një kërkesë në këtë institucion për të marrë informacion më të zgjeruar.
I pyetur nga “TakFak”, inxhinieri Romeo Nazarko e cilëson papërgjegjshmëri nga ana e firmës së ndërtimit, hedhjen e zhavorrit në gropat e krijuara si pasojë e rrëshqitjes së rrugës në Zavalinë.
Nazarko thotë se abuzimi me tenderat është një ndër shkaqet e rrugës së shembur.
“Është një papërgjegjshmëri e madhe. Thjesht shtyn në kohë këtë avari, e cila mund të sjellë nesër pasoja. Kompania e cila ka ndërtuar rrugën, duhet të bëjë përmirësimin e segmentit që ka pësuar avari, por duhet të marrim parasysh faktin se ajo kompani, është apo ka falimentuar dhe nuk ka kush ta ndërtojë”, thotë Nazarko.
Më tej ai thotë se nëse rruga është dorëzuar dhe ndodh një avari ose të ndodh një rrëshqitje rrugës, përgjegjësi mban kolaudatori i punimeve.
“Pronari i rrugës në fund fare, është Autoriteti Rrugor, i cili merr në dorëzim çdo rrugë të ndërtuar nga dhe në këtë rast nga Agjencia e Zhvillimit.
Agjencia e Zhvillimit në fund ja dorëzon Autoritetit Rrugor dhe momentin që e ka dorëzuar ka hequr përgjegjësinë nga vetja”, shpjegon inxhinieri Romeo Nazarko.


