Partia Socialiste ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për autorizim heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut me qëllim arrestimin e saj.
Në raporton e socialistëve, Ulsi Manja tha se “nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit të Belinda Ballukut”.
Manja tha se i rekomandon seancës plenare që të mos votojë kërkesën e SPAK me qëllim arrestimin e Ballukut.
“Nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë atë të arresti në burg apo në shtëpi. Është e vërtetë që në një shtet të së drejtës lufta kundër korrupsionit janë objektiva legjitim, por këto objektiva duhet të realizohen në përputhje me parimet kushtetuese. Aq më tepër që nuk bëhet fjalë për vepër penale korrupsion. Për këtë arsye, ne si anëtarë të shumicës parlamentare në Këshillin për Mandatet i rekomandojmë seancës plenare dhe ju deputetë, rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënin e autorizimin për arrestimin e Ballukut, mos dhënin e këtij autorizimi. Nga shqyrtimi i materialeve nuk rezulton të jenë evidentuar domosdoshmëri për vendosjen e një mase të tillë në raport me ushtrimin e mandatit parlamentar dhe funksionimin e Kuvendit” tha Manja.
Më tej ai theksoi se “Ky raport nuk e pengon SPAK që të vazhdojë hetimet”, ndërsa shtoi se ‘ka një masë të sigurimit personal atë të ndalimit jashtë shtetit dhe se kjo çështje i takon drejtësisë”.


