Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur në gjykatë kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara të shtetasve Jusel Mici dhe Mendim Domi.
Sipas njoftimit zyrtar, të dy shtetasit janë subjekt i hetimit pasuror, ku janë identifikuar një sërë pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të personave nën hetim dhe personave të lidhur me ta.
Sipas SPAK, këto pasuri rezultojnë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe prezumohen si produkt i veprimtarisë kriminale.
Totali i vlerës së pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi arrin në vlerën e 2 milionë eurove.
Jusel Mici dhe Mendim Domi janë dy organizatorët e grupit kriminal të “Call Center” që u vodhi miliona euro evropianëve.
Njoftimi
Në vijim të njoftimit tonë të datës 7.3.2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara me vendimin nr.1 datë 7.2.2025 të Gjykatës së Posaçme, në kuadër të procedimit pasuror nr.8 i vitit 2024 ndaj shtetasve Jusel Mici dhe Mendim Domi.
Të dy shtetasit janë subjekte të hetimit pasuror sipas Ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 dhe po gjykohen nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 166 të vitit 2021 për veprat penale* (shih shënimin për gazetarët).
Mbi bazën e dispozitave të Ligjit nr. 10192 datë 3.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ndryshuar me ligjin nr.70/2017, janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim pasuror dhe personave të lidhur me ta.
Si rezultat i hetimeve të kryera, pasuritë e sekuestruara rezultuan të pajustifikuara nga burime të ligjshme, për të cilat prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale.
Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi:
- Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë;
- Njësi shërbimi me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Bulevardit të Ri;
- Vila në Gjirin e Lalzit dhe në komplekse turistike rezidenciale;
- Sipërfaqe toke (arë) në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk;
- Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë;
- Automjete të markave BMW dhe Audi;
- Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.;
- Llogari bankare në Union Bank me balanca në euro dhe lekë.
Totali i të gjithë vlerës së pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi për shtetasit J.M. dhe M.D. si dhe personat e lidhur me ta është: 1,976, 870(një milion e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë) euro dhe 9,330,062(nëntë milionë e treqind e tridhjetë mijë e gjashtëdhjetë e dy) lekë.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (|SPAK) mbetet e angazhuar në zbatimin e ligjit dhe në mbrojtje të interesit publik.


