Pas 11 ditësh bllokimi dhe kaosi të shkaktuar si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave dhe dëmtimit të urës në zonën “Arrat e Gurrës”, do të hapet sot në mesditë për qarkullim aksi rrugor kombëtar Librazhd–Prrenjas.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën me dije në njoftim se segmenti i bllokuar do të hapet për qarkullim në orën 12:00, përmes një devijimi provizor të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm. Ky devijim do të shërbejë si zgjidhje e përkohshme deri në realizimin e rrugës alternative, e cila do të ndërtohet në shtratin e lumit Shkumbin dhe do të integrohet me trupin e hekurudhës.
Qarkullimi do të jetë i mundur për të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato të tonazhit të rëndë, duke respektuar ngarkesën 8.2 ton për aks.
Sipas ARRSH, segmenti i hapur do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave mbajtëse.
Njoftimi i ARRSH:
Sot, datë 03.03.2026, ora 12:00, rikthehet qarkullimi në aksin Librazhd–Prrenjas për të gjitha mjetet duke përfshirë edhe tonazhin e rëndë, por duke respektuar ngarkesën 8.2ton për aks.
Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm, deri në realizimin e plotë të rrugës alternative, tashmë të bërë publike, në shtratin e lumit Shkumbin dhe të integruar me trupin e hekurudhës.
Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe, përkohësisht, do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar.
Duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës si dhe banorëve të zonës, u bëjmë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar një qarkullim të sigurt për të gjithë.


