Türkiye ndjen “keqardhje të thellë” dhe është e shqetësuar për sulmet e ShBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, “të cilat nisën me provokimet e (kryeministrit izraelit) Netanyahut”, deklaroi presidenti turk të shtunën.
Recep Tayyip Erdoğan gjatë një aktiviteti në lstanbul, tha se ‘’sulmet e përbashkëta ShBA–Izrael, shkelin qartazi sovranitetin e Iranit dhe kërcënojnë paqen e popullit mik dhe vëllazëror iranian”.
“Pavarësisht arsyeve, ne i konsiderojmë të papranueshme sulmet me raketa dhe dronë të Iranit ndaj vendeve tona vëllazërore në rajonin e Gjirit”, theksoi gjithashtu Erdoğan.
Nëse arsyeja e shëndoshë nuk mbizotëron dhe diplomacisë nuk i jepet mundësia, “rajoni ynë rrezikon të tërhiqet drejt një rrethi zjarri”, paralajmëroi Erdoğan.
“Për të parandaluar gjakderdhje të mëtejshme dhe për ta kursyer rajonin tonë nga vuajtje edhe më të mëdha, të gjithë aktorët, veçanërisht bota islame, duhet të ndërmarrin veprime urgjente,” tha ai.
Ankaraja do të intensifikojë menjëherë përpjekjet diplomatike, fillimisht për të siguruar një armëpushim dhe më pas për t’u rikthyer në tryezën e negociatave, deklaroi presidenti.
Izraeli dhe ShBA-ja ndërmorën një sulm ndaj Iranit herët të shtunën, duke përmendur kërcënime të pretenduara nga “regjimi iranian”.
Sulmet ndodhën në një kohë kur bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor të Iranit po zhvilloheshin nën ndërmjetësimin e Omanit. Një raund i ri bisedimesh në Gjenevë përfundoi të enjten.
Izraeli gjithashtu nisi një luftë 12-ditore kundër Iranit qershorin e kaluar, me ShBA-në që iu bashkua më vonë dhe bombardoi tri objekte bërthamore iraniane.


