Është vetëdorëzuar në polici Gëzim Allçi, personi i cili i cili ishte në kërkim në lidhje me vrasjen e dyfishtë në Manëz, ku u vranë me armë zjarri 33-vjeçari Flori Paluçi dhe 23-vjeçari Aranit Kurti.
Ndaj Gëzim Allçit Gjykata e Durrësit ka caktuar në mungesë masën e sigurimit “Arrest në burg” për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas policisë, Gëzim Allçi në komisariat ka dorëzuar një send në dukje pistoletë (armë sportive me gogla), duke deklaruar se e kishte me vete ditën e ngjarjes.
Njoftimi i policisë: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të datës 13.11.2025, e cila ka caktuar në mungesë masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit G. A., 31 vjeç, banues në Manëz, Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Shtetasi G. A. ishte shpallur në kërkim, i dyshuar si i përfshirë në ngjarjen e ndodhur në tetor 2025, në Manëz, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy shtetas.
Ky shtetas është vetëdorëzuar në DVP Durrës.
Gjithashtu, ky shtetas ka dorëzuar një send në dukje pistoletë (armë sportive me gogla), duke deklaruar se këtë e kishte me vete ditën e ngjarjes.
Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
DINAMIKA E NGJARJES
Në këtë ngjarje kriminale prova më e fortë janë pamjet filmike të cilat kanë dokumentuar të gjithë dinamikën e krimit të dyfishtë.
Gjithmonë duke ju referuar pamjeve filmike, policia thotë se i pari që ka qëllua është Flori Paluçi, i cili ka qëlluar njëherë në tokë. Më pas, ai mësohet se ka drejtuar armën drejt Daniel Pepës dhe ka hapur zjarr ndaj tij, por pa mundur ta vrasë.
Miku i Danielit, Aranit Kurti, që ndodhej shumë pranë Florian Paluçit, ka qëlluar me grusht në fytyrë Florian Paluçin dhe më pas ai vrapon të largohet prej tij.
Por Paluçi qëllon një herë me pistoletë drejt Aranit Kurtit, ku plumbi i ka depërtuar trupin deri pas shpine dhe i ka prekur zemrën, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Mes kësaj vorbulle të shtënash, Daniel Pepa, ka hapur zjarr vetëm një herë dhe ka qëlluar pas shpine Flori Paluçin, i cili pasi ka kryer disa lëvizje të pavetëdijshme është rrëzuar dhe ka gjetur vdekjen.
Pas këtyre veprimeve Daniel Pepa, së bashku me Ergi Kadiun, Erald Canin, Taulant Beqjan dhe Emirjan Beqjan, janë larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u kthyer pas disa minutash sërish në vendngjarje.
DËSHMIA E DANIEL PEPËS
Daniel Pepa ka pretenduar se ka qëlluar me armë në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme, pasi Florin Paluçi, ishte personi i parë që ka qëlluar me pistoletë duke vrarë shokun e tij, Aranit Kurti.
Sipas gazetarit Elton Qyno, riu në ambientet e policisë së Durrësit gjatë marrjes në pyetje, ka pretenduar se nëse nuk do qëllonte drejt Florin Paluçit, ai do e vriste siç vrau shokun e tij Aranit Kurti.
Daniel Pepa, në prezencë të avokatit të tij dhe oficerit të policisë gjyqësore, ka argumentuar se ka qëlluar nga tronditja e fortë psikike dhe vetëmbrojtjes së nevojshme, pasi Paluçi i vrau i pari shokun dhe më pas rrezikoi të qëllonte edhe mbi të.
E SHKUARA KRIMINALE NË ITALI E FLORI PALUÇIT
Flori Paluçi, 33-vjeçari që mbeti i vrarë në Manzë të Durrësit, pasi një sherri për një kafe kishte qenë i kërkuar në Itali për tentativë vrasjeje të dyfishtë në Perugia. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane më 24 tetor.
Sipas mediave italiane, Paluçi ishte nën hetim nga Prokuroria e Perugias për ngjarjen e ndodhur më 19 qershor, përpara një bari në zonën e Vernës në Umbertide, ku dy persona mbetën të plagosur rëndë pas një shkëmbimi zjarri.
Hetimet në Itali kanë sugjeruar se ngjarja ishte e lidhur me përplasje për çështje droge. Pas atentatit, 33-vjeçari, i cili ishte i njohur më parë për policinë, ishte arratisur menjëherë, duke u bërë i paidentifikueshëm për muaj të tërë.
Nga Umbertide në Durrës, fundi i arratisjes
Fundi i arratisjes së Paluçit erdhi në orët e vona të mbrëmjes mes 21 dhe 22 tetorit, kur në Manzë të Durrësit ndodhi një tjetër përplasje me armë përpara një karburanti.
Teksa i referohen raportimeve nga Shqipëria, mediat italiane shkruajnë se ngjarja ndodhi për një kafe.
Një 23-vjeçar, që ndodhej ulur në një lokal me një mik, kishte kërkuar një ekspres, por kamarieri nuk e kishte shërbyer pasi ekspresi ishte fikur. Kjo shkaktoi një debate të ashpër, në të cilën ndërhyri edhe Flori Paluçi.
Sipas hetimeve paraprake, Paluçi dyshohet se qëlloi me armë ndaj 23-vjeçarit, duke e vrarë në vend.
Në ato momente, miku i viktimës reagoi, nxori armën dhe hapi zjarr drejt Paluçit, duke e vrarë në vend.
Autori i dyshuar për vrasjen e Flori Paluçit është aktualisht në kërkim nga policia shqiptare, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar rrethanat e konfliktit fatal.


