Nëpër panelet televizive, në literaturën për fëmijë e kudo shkruhet e flitet për edukimin, një nga mësimet që predikohen më së shumti dhe si themel i shoqërive është se që fëmijë e deri në rini, brezat duhen edukuar me shembuj pozitivë. Kjo nisur që nga familja e gjakut, e që vazhdon me edukimin në shkolla dhe përmes mediave.
Por në vendin tonë të vogël brezi i ri, sipas Eurostat, po mpaket me 18 mijë të rinj çdo vit. Ndaj gjurma që lë edukimi merr trajta emergjence, dramatike, shkatërrimtare. Në turravrapin e jetës së përditshme të gjithë bëjmë gabimin të mos ndalemi në reflektim të thellë se ky vend po plaket, se forca rinovuese dhe revolucionuese e rinisë po dobësohet dhe se shumë shpejt (të dhënat thonë brenda vitit 2050) nuk do të kemi më të vetmen pikë që na bënte “të fuqishëm” në sy të Europës ku duam të shkojmë, brezin e ri dhe statistikat pozitive mbi forcën e re të punës dhe vazhdimësinë intelektuale të një kombi.
Arsyet janë të shumta por u shtyva në këtë reflektim timin teksa lexova moshën dhe emrat e disa të rinjve e të rejave në një nga operacionet e shumta të ligjit. Mu shfaqën përpara syve vajza e djem në moshë të re që nga pozicionet e tyre të punës kishin shpërdoruar detyrën. Duke qenë se çdo ditë, së fundmi, po ndodh kështu, me një matematikë të thjeshtë për një profane të shifrave si unë, logjika të shpie tek fakti se janë numerikisht shumë të rinj në raport me numrin e popullsisë së mbetur në territor, të cilët kanë rënë në grackën e përdorimit nga pushtetari i radhës, kanë firmosur çfarë nuk duhej, kanë përfituar të ardhura që moshatarët e tyre në Europën e dëshiruar, as i imagjinojnë dot dhe bëjnë një jetë me një shkëlqim të rremë e të përkohshëm por që shfaqet kudo.
Këta të rinj, shpesh militantë poltitikë ose ndjekës të verbër të dikur deputetëve dhe tashmë ministrave, kanë zgjedhur fatkeqësisht të shtrydhen si limoni nga drejtues hileqarë që nuk kanë më guximin të shfaqen në vetë të parë ose nuk kanë më sigurinë se pushteti i mbron nën sqetull si dikur. Në rastin më të mirë, kjo fetë e rinisë shqiptare merr koston e vet nga ligji por pasojat që lë në shoqëri kjo mënyrë e të ndërtuarit të jetës dhe përfitimit të të ardhurave janë vrastare. Të rinjtë jashtë këtyre klaneve, ata që shkollohen, kanë aspirate e ambicje, ndërtojnë shpresat se çfarë të ardhme do të kenë, nuk kanë ku të arratisin arsyetimin e tyre. Ata jetojnë mes kësaj vorbulle paligjshmërie që u shfaqet si diçka normale, si diçka e pathyeshme dhe e drejtë, pjesë e panegociushme e asaj që të pret nëse një ditë do të jesh pjesë e administratës apo biznesit, që në realitetin shqiptar janë bërë një trup i vetëm.
Nëse je një i ri shqiptar ke pak rrugëdalje, ose do të shkollohesh dhe do të gjezdisësh për një punë të keqpaguar dhe pa perspektivë, ku është e pamundur të fitosh aq sa të kalosh një jetë normale pa i shtrirë dorën kujt, ose do të zgjedhësh që me detyrim përcaktim të rreshtohesh patronazhist me partinë shtet, e cila lëviz të tëra fijet, të përdor për propagandën e saj e në fund të shpërblen me një vend diku në një dikaster, një nga të shumtët e kolonisë së madhe të pozicioneve pa meritë. Aty të pret kurthi i madh, je në monitorim, je në shërbim konstat, je në përulje para bamirësve që të kanë marrë praktikisht peng.
Por i riu si veriu, miklohet dhe “hutohet” më lehtë nga shkëlqimi i rremë i parasë së shpejtë, nga shija e aventurës që i garanton charteri apo udhëtimet në luks, mes restoranteve paguar nga taksat tona e plazheve ekzotikë që dikur kanë parë në Instagram.
Kohë më parë një e afërmja ime kishte takuar një ish shoqen e saj të klasës. Vajza pak vite mbi adoleshencën, ishte e veshur me kostum serioz, këmishë e taka, krehur si një zyrtare e regjur. Pasi e pyeti e habitur se nga vinte gjithë ky ndryshim, shoqja e fëmijërisë shprehu me krenari se partia e saj ku kishte qenë komisionere e mbajtëse e celularit e një kandidateje, e kishte “promovuar” duke e punësuar në Ministri si dhe me bileta e hotel (me 5 yje) falas për ndeshjen e kombëtares tonë në Gjermani. Sytë plot dritë e ngazëllim shfaqnin një krenari absurde për ngjitjen e shpejtë duke shkuar deri aty sa të sfidonte shoqen e saj se po humbiste kohën kot në partinë e krahut tjetër e se derën e bamirësve dorëlëshuar të pushtetit e kishte të hapur. Zyrtarja rishtare më pas u shfaq paneleve si mbrojtëse plot servilizëm e Kreut të qeverisë, më pas akoma si kandidate për deputete. E tërë kjo karrierë brenda 2 viteve.
Këtë fragment jete në përditshmëri e kujtoj gjithmonë kur më duhet të bëj edhe unë ato predikimet ndaj të rinjve që duhet të zgjedhin Shqipërinë, që nuk duhet të largohen, që nëse ke profesion e vullnet e gjen veten edhe këtu. Sigurisht që ja del, po po, ja del, të marrësh frymë, të ushqehesh (por sa mirë e sa varet nga puna që bën), të bësh 1 javë pushime se më shumë nuk ke as xhepin por edhe nuk ta jep askush, ja del të jetosh, po po, por me sytë nga Zoti që të mos sëmuresh se ilaçet kushtojnë një djall e gjysmë. Por nuk ja del kurrësesi jashtë klaneve gropathithëse partiake, as ta mendosh të blesh një shtëpi, të bësh një specializim diku jashtë, të bësh një udhëtim të largët për të zgjeruar horizontet, ose ose të ndalesh e të nisësh një fëmijë e familje, sepse puna nuk të pret e nuk të fal tregu që është bërë më i pashpirt se pushteti, sepse jetojnë në simbiozë tashmë.
Jashtë pushtetit rinia shqiptare është e sfiduar të rezistojë ose t’i dorëzohet etjes për para e pushtet, duke humbur fytyrën, dinjitetin, idetë por duke fituar kapardisjen rinore që nxit konkurrenca dhe konsumizmi.
Rinia shqiptare, ajo gjithmonë e më pak e mbetura çdo ditë, orë e minutë merr tashmë mësimin negativ që po ndërton pa kthim një brez të tërë. E merr nga gjykatat që ose falin, ose dënojnë fare pak abuzues të frikshëm milionash euro, e merr nga ministreshat e ministrat që, siç thotë populli, kanë siguruar me para edhe brezin e shtatë, e merr nga lideri suprem që lëviz fijet e buratinëve të oborrit të tij, me arrogancë dhe forcë, me retorikë anadollake nën petk perëndimor, e merr nga moshatarë me makina luksoze e jetë sheikësh, bij e bija zyrtarësh të korruptuar e shitur deri në asht. E askush nuk e ka të lehtë, në këtë mjedis toksik kapadaillëku provincial në mentalitet, të zgjedhë rrugën e duhur, atë etike, atë të ndershme, atë rrugë ku vlerat e njeriut nuk maten me pasurinë dhe pushtetin.
Kemi gjykuar deri dje e kjo me dekada, ata mijëra të rinj që pas rënies së komunizmit, kapërcyen kufijtë dhe një pjesë e tyre zgjodhën trafikun e drogës, hajninë ose krime edhe më të rënda. Për ta folëm gjatë e shkruam shumë se si na e nxinë faqen në botë e na përbaltën emrin. Por sot nuk di më ta ndaj se cilët na turpërojnë e rëndojnë më shumë, ata apo këta të sotmit që në fasadë mbajnë dosje e firmosin shkresa, pse jo edhe me diploma nga auditorët më pristigjozë të botës, por brenda mureve të larta të pushtetit, i rrjepin lëkurën një vendi të varfër, shpesh edhe në emër të një integrimi fals.
I riu shqiptar duhet të rezistojë, po po, por më thoni dot se si mund të rezistojë teksa një biznes që punëson ndershmërisht mijëra të rinj ndër vite siç është grupi mediatik ku unë punoj, u jep pagë, eksperiencë, reputacion, ja shembin muret me tritol ose i mbyllin valët, në të gdhirë si skuthat? Cili është mësimi që i shfaq pushteti rinisë me arrogancën e tij në këto raste, është mësimi i frikës apo i skllavërimit të detyruar? Ata qindra të rinj që punojnë krah meje, që kanë ndërtuar ndër vite familje, kanë fituar një profesion e një emër, kanë marrë kredi, kanë zgjedhur këtë vend, edhe sa dhe si duhet të rezistojnë teksa tatimet skërrmisin dhëmbët dhe pushteti u vërvit litarin e presionit mbi krye përditë duke mos lënë kompaninë të rritet e lulëzojë bashkë me ta e për ta? E mbi të gjitha, kujt ua kanë borxh rininë e tyre mbushur me shqetësime dhe pasiguri të përhershme?
Nëse ka një brez ndaj të cilit një ditë do paguajmë haraç është ky që po reziston tani, në këto kohë të pista e të turbullta me hajninë të ngritur në system. Është kjo rinia e lënduar që po dënojmë me mësime negative pushtetarësh të pangopur e të pandëshkuar. E derisa të vijë dita kur gjykatat të trimërohen dhe ligji të jetë serioz, uroj që ata 18 mijë të rinj që largohen çdo vit, mos të jenë të fundit e mbetur në këtë vend ku shkëlqimi fals i parasë së pisët po zbeh shkëlqimin e dikurshëm të një demokracie të brishtë por me shpresë e pasion ku të rinjtë ishin lokomotiva e jo vagoni i fundit.


