Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, pritet të publikojë të hënën urdhrin për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Burime për News24, bëjnë me dije se, në urdhër do të përcaktohet data dhe ora kur do të zhvillohet mbledhja e Këshillit, ku pritet të diskutohen çështjet në rendin e ditës që lidhen me kompetencat e këtij organi parlamentar.
Anëtarët e Këshillit pritet të mblidhen disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi qeverinë dhe la në fuqi pezullimin nga detyra të Ballukut si zëvendës kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, masë e dhënë nga GJKKO.
Mbetet për t’u parë nëse Këshilli i Mandateve drejtuar nga Niko Peleshi do të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
PD ka kërkuar vazhdimisht mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe shqyrtimin me urgjencë të kërkesës së SPAK, për shkak se Prokuroria ka argumentuar se e pandehura Balluku rrezikon të prishë provat dhe intimidojë dëshmitarët duke qëndruar në detyrë. Por socialistët, nga ana tjetër, argumentonin se duhej pritur së pari vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për çështjen e pezullimit dhe më pas të veprohej me imunitetin.
Ky argumentim shkaktoi debate për shkak se masa e pezullimit konsiderohejt e “tejkaluar” dhe se SPAK ka në dorë prova të reja dhe për rrjedhojë ka kërkuar t’i heqë imunitetin dhe t’i hapë rrugë dhënies së një masë më të rëndë sigurie, si ajo e arrestit në shtëpi apo arrestit në burg.
Kujtojmë që Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, ndërsa është vënë nën hetim edhe për procedura të tjera tenderuese, përfshirë Lotet e Unazës së Madhe.


