Në procesin gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë”, i pandehuri Henrik Hoxhaj ka zbuluar me dëshminë e tij në GJKKO detaje nga atentati ndaj biznesmenit Lulzim Masha, ku tregoi se vrasjen e ka kryer Skerdi Tase.
Hoxha deklaroi se monitorimi i Mashës kishte zgjatur rreth një vit, pasi objektivi fillestar, djali i tij, nuk po gjendej, pasi qëndronte në Maqedoni. Për këtë arsye kanë angazhuar “Sakatin”, i cili do të informonte nëse djali hynte në Shqipëri.
“Nuredini thoshte se djali i Mashës mashtronte njerëzit në Maqedoni. Ne e pritëm, por nuk erdhi. Pastaj morëm masa që të vrisnim të atin, që djali të vinte në varrim dhe ta vrisnim,” dëshmoi Hoxha.
Ai tha se bashkë me Skerdi Tasin e kishin ndjekur Mashën disa herë me motor, duke studiuar rrugët dhe lëvizjet e tij, ndërsa për atentatin u përdor një automjet “Golf 4”, i siguruar nga Nuredin Dumani, pasi përdorimi i motorit mund t’i ekspozonte.
Hoxha deklaroi se kishte angazhuar një menaxher në një lokal në Tiranë për ta njoftuar sapo të shfaqej Masha, me justifikimin se i kishte lekë borxhë. Pas njoftimit, ai shkoi në vendngjarje bashkë me Skerdi Tasin, por ai vetë u pozicionua në një zonë pa kamera sigurie.
“Goditjen nuk e dëgjova, sepse arma kishte silenciator. Unë dëgjoja gjithçka në radio policie,” tha Hoxha, duke shtuar se pas ngjarjes u takuan në zonën e ‘21 Dhjetorit’. Sipas tij, Skerdi Tasi i kishte thënë se kishte qëlluar dy herë, por arma ishte bllokuar.
Hoxha pohoi gjithashtu se gjatë largimit dëgjonte në radio përshkrimet e policisë për autorin e dyshuar, të cilat, sipas tij, përputheshin me karakteristikat e Skerdit.
Hoxha: Mbikqyrja e Lulzimit zgjati gati 1 vit, se e lamë cikë pas dore ne. Djalin nuk e gjenim dot. Prandaj u angazhua Sakati, që do na jepte informacion nëse ai futej në Shqipëri.
Nuredini thoshte se djali i Mashës mashtronte njerëzit në Maqedoni.
Ne e pritëm, por nuk erdhi. Pastaj morëm masa, që të vrisnim të atin, që djali të vinte në varrim dhe ta vrisnim.
Bashkë me Skerdin e kemi ndjekur Mashan disa herë me motorr. E këmi ndjekur në rrugën që bënte.
Për ngjarjen përdorëm një “Golf 4” të lodhur. Nuredini na e gjeti. Kjo sepse me motorr mund të binim në sy.
Për ngjarjen unë përdora një menaxher që kisha tek lokali në Tiranë. I thashë do më lajmërosh kur të shohësh këtë person, sepse më ka leke borxh.
Na njoftoi. Unë shkova atje bashkë me Skerdi Tasin. E lashë Skerdin dhe vetë u vendosa diku ku nuk kishte kamera. Pastaj lëviza. Goditjen nuk e dëgjova, se arma qe me silënciator.
Kisha radio policie, e dëgjoja komplet çfarë kishte ndodhur
Pastaj me Skerdin u takuam tëk 21-shi.
Skërdi më tha, i qëllova dy herë, por më ngeci arma.
Unë një ditë më parë shkreva 1 karrikator me atë armën, por atë ditë ngeci.
Unë i dëgjoja në radio komunikimet e policisë, kur thonin “një person kështu ashtu, me karakteristikat e Skerdit”.


