Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka reaguar pas dhunimit të avokatit Kujtim Cakrani, duke e cilësuar atë si një akt kriminal shtetëror të shëmtuar.
Në reagimin e tij, Berisha shprehet se Cakrani është goditur shtazërisht pa asnjë shkak, por vetëm për shkak të detyrës së tij.
Sipas tij, ky veprim i autorëve është frymëzuar dhe sponsorizuar nga Edi Rama dhe organizata e tij kriminale.
“Dhunimi i Avokatit Kujtim Cakrani, një akt kriminal shtetëror i shëmtuar. Të dashur miq, sot avokati i mirënjohur Kujtim Cakrani që sot është dhe avokati i ish-Presidentit dhe kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta goditet shtazërisht pa asnjë shkak, por vetëm e vetëm për shkak të detyrës dhe shtrohet në spital me fraktura në kokë.
Partia Demokratike i uron shërim të shpejtë dhe të plotë Avokatit Kujtim Cakrani, dënon me forcën më të madhe këtë akt shtazor si një krim të shëmtuar të parapregatitur shtetëror të frymëzuar dhe sponsorizuar nga Edi Rama dhe organizata e tij kriminale dhe ju rikujton atyre se përgjegjësia direkte është e tyre dhe se drejtësia vonon por nuk harron”, shprehet Berisha.
DINAMIKA E NGJARJES
Avokati Kujtim Cakrani u dhunua nga dy persona këtë të dielë, 8 shkurt, në një pikë karburanti në Vlorë, duke pësuar dëmtime në kokë pasi është goditur me mjet prerës në pjesën e pasme.
Mbrojtësi ligjor i ish presidentit Ilir Meta ka pësuar një frakturë të rëndë në pjesën e pasme të kokës, dhe për pasojë ai u transportua në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në reanimacion.
Burime spitalore bëjnë me dije se avokati i ish presidentit ka dëmtime serioze në kokë, dhe aktualisht nuk arrin të qëndrojë në këmbë.
Ndërkohë, në spital pritet mbërritja e ekspertëve mjeko-ligjorë, si edhe e përfaqësuesve të policisë, të cilët do të marrin dëshminë e avokatit dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ngjarja u shënua rreth orës 13:30 në ambientet e një karburanti në rrugën Tranballkanike, gjatë kohës që avokati ka qenë duke furnizuar automjetin me karburant.
Sipas policisë, konflikti ka nisur për shkak të pozicionit se si e kishte lënë avokati automjetin që sipas dy personave, me të cilët është konfliktuar, kishte bllokuar edhe automjetet e tjera.
Pasi fillimisht e kanë sharë, njëri prej tyre ka zbritur nga makina ku ndodheshin, ka hyrë nga dera e pasagjerit dhe e ka goditur me mjet prerës në kokë, duke i shkaktuar dëmtime.
DËSHMIA E AVOKATIT
Sipas vetë avokatit Cakrani, dy persona të panjohur për të e kanë sulmuar në momentin që ai po furnizohej me karburant.
Fillimisht, ata e kanë ofenduar dhe sharë, ndërsa dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një parkimi , edhe pse avokati shprehet se nuk beson se ky ka qenë shkaku i vërtetë.
“Ishin dy çuna me një makinë, që pasi më provokuan, më dhunuan fizikisht. Më goditën pas koke, me njërin po bisedoja dhe tjetri më goditi pas koke. Ka ndodhur në hyrje të Vlorës, në një pikë karburanti. Do të kthehesha në Tiranë. Erdhën, provokuan dhe më pas filluan me fjalë fyese. Më pas dolën nga makina, më goditën dhe më qëlluan.
Njëri ka qenë me mjet prerës. Më goditën pas koke se isha ulur në makinë, isha në vend të parë të makinës. Njëri nga dritarja po ofendonte, dhe tjetri kaloi nga pasagjeri. Pse ke parkuar keq makinën, ke zënë gjysmën e karburantit. Ishte një formë provokimi”, tha ai.
I pyetur nëse mendon se ishte diçka tjetër, ai thotë se: “Nuk e di. Në këtë moment nuk mund të them gjë se nuk dua. Nuk i njoh ishin moshë e re. Kërcënime në rrjete sociale padyshim që kam për profesonin që bëj, për çështje sensitive që ndjek, por nuk mund të them dhe të jap dot një shpjegim. Vetëm pas koke kam lëndime, në trup jo.”


