Katër persona janë arrestuar brenda pak orëve në kryeqytet, pasi akuzoheshin dhe kërkoheshin për krime të ndryshme, nga plagosja e rëndë dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, tek vjedhja dhe përndjekja.
Burime zyrtare nga Policia e Tiranës njoftuan sot (8 shkurt) se finalizuan operacionin policor të koduar “Catch 4”.
Operacioni u zhvillua pas kontrolleve intensive në terren dhe informacionit të siguruar në rrugë operative.
“G. I., 30 vjeç, u arrestua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pasi Prokuroria kishte lëshuar urdhër ndalimi ndaj tij për “Plagosje e rëndë me dashje” në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Më 1 dhjetor 2025, në rrugën “Irfan Tomini”, ai ka plagosur me mjet prerës shtetasin M. A., ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestrua cannabis sativa”, bëri me dije policia për ndalimin e parë.
Kurse R. R., 30 vjeç, u arrestua nga specialistët e Komisariatit Nr. 2 dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, pasi është i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, duke pasur ende për të vuajtur 1 vit, 5 muaj e 19 ditë burgim.
“E. M., 19 vjeç, u arrestua nga Specialistët e Komisariatit Nr. 1, pasi Gjykata e Durrësit kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Vjedhja”. Shtetasi iu dorëzua DVP Durrës për veprime të mëtejshme. Dhe A. D., 22 vjeç, u arrestua nga Specialistët e Komisariatit Nr. 4, sipas vendimit të Gjykatës për veprat penale “përndjekja” dhe “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, sqarohet në njoftim.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.


