Kryeministri Edi Rama komentoi në Podkastin e tij “Flasim”, episodi 5 i sezonit gjashtë, ditën e sotme (8 shkurt), edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin nga detyra të ministres dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur dhe nën akuzë nga SPAK dhe me masë nga GJKKO, e cila mbeti në fuqi.
Kreu i mazhorancës tha se Kushtetuesja u tregua e pafuqishme dhe e paaftë për të marrë një vendim të qartë dhe për të gjykuar kërkesën e tij, ndërsa theksoi se do ta vazhdonte betejën më tej.
Sipas tij, ky vendim sjell një anomali dhe absurditet kompetencash dhe përplasjesh, pasi tani një gjykatës mund të pezullojë edhe Presidentin e Republikës.
“Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”.
Ai nënvizoi se “kush mendon se do rikthejë në punë mullirin e prishur të opozitave” me këtë lloj taktike nëpërmjet masave e vendimeve, “gabon”, sepse “i vetmi garant që ka Shqipëria për integrimin në BE jam unë dhe shumica qeverisëse”.
“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, pafuqia e GJK për të marrë një vendim edhe pse është i thjeshtë, të marrim shembull edhe në të gjithë vendet e botës, e nuk do gjesh dot të ngjashëm. Një vendim për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet ku me këtë vendim edhe presidenti i Republikës mund të pezullohet me një llogjikë të thjeshtë. Arrestet pa gjyq arritën kulm të ri këtë javë, me 33 masa në një javë nga një prokuror i vetëm në Durrës, vetëm veten e tij nuk përfshiu, në kundërshtim me të gjitha praktikat Evropiane. Kushtet e domosdoshme për arrestin i futi me një thes, u them një gjë,”, tha ai mes të tjerash, duke kritikuar edhe masat e paraburgimit.
Dhe më tej vijoi duke deklaruar se përpjekjet për drejtësi të pavarur dhe respektim të ligjit do vazhdojnë, sepse synimi është vetëm integrimi i vendit në BE.
“Është përpjekje e të gjithëve bashkë, e jona, parlament, qeveri, drejtësi, për integrimin e vendit. Kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor, me të gjithë përpjetat e tatëpjetat e saj, me arritjet apo lajthitjet e sistemit, do arrijnë të prodhojnë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse. E kush mendon se do kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabojnë ditë e natë. Nuk kuptojnë atë që kupton shumë qartë populli shqiptar dhe njeriu i zakonshëm, se lufta për drejtësi, shtet ligjor demokratik, Shqipëri Evropiane dhe për integrim në BE. Lufta për drejtësi dhe integrim për Shqipëri evropiane, ka vetëm një garant sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse”, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Rama për vendimin e Kushtetueses për Ballukun:
“Mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese
Shënimi i fundit i ditës, por jo për nga rëndësia, është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk e ka gjetur dot forcën për të mos e lejuar rimarrjen peng të qeverisë së Shqipërisë me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike, siç është pezullimi i një anëtari qeverie nga një prokuror dhe një gjykatës në një seancë paraprake, pra pa filluar akoma gjyqi.
Kështu, Shqipëria bëhet për herë të dytë, në dy muaj, shembulli i parë i një budallallëku botëror sepse Gjykata Kushtetuese u mbyt me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës i quan arsyet e Mosarsyes.
Por fakti është që mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e kthen në fuqi pezullimin e ministers, e cila, që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks dhe një luks i rrallë që mund ta kërkosh, por vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve politike e mediatike, nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që shpiku pezullimin e anëtarit të qeverisë me vendim të një seance të mbyllur të përgatitjes së një gjyqi.
Sidoqoftë, zhbërja e kësaj shpikjeje 100% “Made in Albania” e drejtësisë së re dhe e drejtësisë ende të papjekur shqiptare, e cila nuk ka lidhje me rastin dhe çështjen konkrete po me një parim të panegociueshëm të demokracisë mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive të parlamentit nga pushteti gjyqësor.
Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë.
Në ndërkohë, kam dhe diçka tjetër.
Kujtdo që ka vënë buzën në gaz apo ka nxjerrë gjuhën jashtë pas mosvendimit të Kushtetueses dhe e bën hosana dhe fërkon duart me kuturisjet e modës së re të arresteve pa gjyq, të cilat arritën një kulm të ri këtë javë me 30 e kusur fletë-arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten e vet, – se të gjitha çfarë kishte rreth e rrotull për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, – i futi në një thes, – u them një gjë, – kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, me të gjitha të përpjetat dhe të tatëpjetat e saj, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re, do të prodhojë ndonjëherë kosto për këtë shumicë qeverisëse, të cilat do ta kthejnë në punë mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë sepse nuk kupton atë që e kupton shumë qartë populli shqiptar, njeriu i zakonshëm i Shqipërisë.
Lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse. Kaq e thjeshtë është!”.


