Shkruan: Prof. Dr. Metin Izeti
Që nga zanafilla e tij, universiteti ka qenë më shumë se një ndërtesë ose një koleksion disiplinash. Ai ka qenë një universitas – një bashkësi shpirtrash të lirë, një mikrokosmos i mendimit të hapur, ku dija nuk është mjet, por është një telos, një qëllim në vetvete. Ky ideal, i vendosur si institucion në mesjetë, veçanërisht në atë myslimane, i përpunuar nga humanistët e Rilindjes dhe i ngritur në filozofi nga Wilhelm von Humboldt, e ka parë universitetin si vendin ku arsyeja dhe kritika lulëzojnë jashtë kufijve të domosdoshmërisë politike ose ekonomike. Sot, megjithatë, projektligji i ri për arsimin e lartë na paraqet një pamje shqetësuese: një zhvendosje nga kjo ontologji e thellë e universitetit si locus i lirisë, drejt një ontologjie të re, ku dija reduktohet në një “mall” të matshëm, universiteti në një “ofrues shërbimesh”, dhe akademiku në një “prodhues të treguesve”. Ky transformim është një alarm për humbjen e shpirtërisë së institucionit në emër të një efikasiteti të rremë.
Projektligji në nenin 7 deklaron me zë të lartë parimin e “autonomisë së universitetit dhe të lirisë akademike”. Megjithatë, një lexim i thellë zbulon një paradoks ontologjik. Autonomia e vërtetë, në kuptimin klasik të universitetit studiorum, është aftësia e tij për të vetë-legjitimuar veten, për të përcaktuar çështjet e veta kërkimore, strukturat e tij organizative dhe kriteret e tij cilësore, bazuar në autoritetin e brendshëm të dijes. Ky është principi i vetëqeverisjes që e bën universitetin një subjekt, jo një objekt.
Projektligji, megjithatë, e shpërdor këtë parim. Në fakt, ndërsa nenet pasuese flasin për “autonomi”, ata dukshëm krijojnë një aparat masiv të kontrollit të jashtëm. Këshilli Kombëtar (neni 42-45) dhe Ministria përkatëse marrin kompetenca të gjera për të miratuar statutet, për të përcaktuar normativa dhe standarde të hollësishme, për të kordinuar programet kombëtare dhe për të vlerësuar “përmbushjen e treguesve”. Çfarë mbetet, atëherë, nga autonomia? Ajo reduktohet në një “autonomi administrative” të cekët – mundësia për të menaxhuar buxhetin e caktuar paraprakisht dhe për të zbatuar rregullat e diktuara nga qendra. Universiteti nuk është më një universitas, por një filiale e shtetit. Kjo nuk është autonomi; është decentralizim ose bartje e detyruar e një burokracie. Filozofia e Foucault-t për “qeverisjen” na kujton se pushteti më i rrezikshëm nuk është ai që ndalon, por ai që strukturon, normalizon dhe drejton sjelljet. Projektligji është pikërisht një teknologji e tillë e qeverisjes: duke i dhënë universitetit iluzionin e lirisë, ai në fakt e rrethon atë me një rrjetë padukshme parashkimesh, treguesish dhe inspektimesh që e kanë nën kontroll çdo aspekt të jetës së tij.
Tirania e Impact Factor-it: Kur dija bëhet e nënshkrueshme
Në zemër të këtij transformacioni qëndron një reduktim epistemologjik radikal. Për të avancuar në karrierë (neni i nënkuptuar për kriteret e habilitimit), një akademik duhet të prodhojë një numër të caktuar punimesh në revista të indeksuara në baza të caktuara ndërkombëtare (Web of Science, Scopus) me një Impact Factor (IF) të lartë. Filozofikisht, ky është kalimi nga dija si vlerë tek dija si sasi. Vlera e një ideje, e një studimi, e një kontributi në fushën e vet, nuk matet më nga forca e argumentit, nga thellësia e analizës, apo nga ndikimi në komunitetin e brendshëm, por nga një algoritëm i panjohur që llogarit citimet.
Kjo sjell dy pasoja katastrofale. Së pari, ajo shpien në një “kolonializëm epistemik”. Duke i detyruar të gjithë studiuesit, pavarësisht nga disiplina (shkencat humane, sociale, teknike) të publikojnë në të njëjtat revista angleze dhe të ndjekin temat “globale” (d.m.th., ato me financim dhe interes ndërkombëtar), projektiligji anashkalon dhe çvlerëson të gjitha format e tjera të dijes. Studimet lokale, monografitë thelbësore, përkthimet kapitale, debatet publike në gjuhën vendase – të gjitha këto, edhe nëse janë punë të shkëlqyera, bëhen të pavlefshme në karrigën e meritës. Kjo është një formë e dhunës simbolike që e detyron mendimin vendas të përshtatet me paradigmën globale, duke e zhbrazur atë nga konteksti i tij jetësor dhe nga mundësia për të ndikuar drejtpërdrejt në shoqërinë e vet.
Së dyti, ajo e shndërron akademikun nga një intelektual në një “punëtor të dijes”. Puna e tij nuk vlerësohet më për frymëzimin, guximin apo thellësinë, por për kapacitetin për “game-uar” sistemin: për të zgjedhur temat që citohen më shumë, për të shkruar në një format standard dhe të zbrazët, për të kërkuar bashkautorë me famë. Kjo e bën shkencën një proces konformist. Mendimi kritik, që nga natyra e tij çmon konventat dhe kërkon rrugë të reja, shtypet. Në vend të Frierit që pyet tek “Pedagogjia e të shtypurve”, ne do të kemi teknikë që ndjekin manualet më të fundit të OECD-së.
Liria akademike nën dëgjim të përhershëm
Liria akademike e përshkruar në nenin 8 tingëllon si një deklaratë e bukur e të drejtave: liri e shprehjes, e kërkimit, e publikimit. Megjithatë, kjo parajsë ligjore bie në hije nga mekanizmat e panoptikut që ndërton projektiligji. Kriteret e pamundshme për mentorimin e studentëve të doktoraturës (duke kërkuar, për shembull, një numër të caktuar botimesh të tilla përpara se të lejohet të udhëheqë një doktoraturë), strukturimi i ngurtë hierarkik i karrierës, dhe mbikëqyrja e vazhdueshme nga organe shtetërore krijojnë një mjedis të përhershëm ankthi dhe vëzhgimi.
Akademiku nuk është më i lirë të eksplorojë, të gabojë dhe të rikthehet, sepse çdo hap i tij matet dhe gjykohet përpara se të jetë ndërmarrë. Kjo e kthen procesin akademik nga një udhëtim kërkimi në një “karrierë rrugë të drejtë”, ku devijimet janë të ndaluara. Siç vëren Byung-Chul Han në “Shoqërinë e tretjes”, ky nuk është një pushtet që ndalon me “JO”, por një pushtet qo shtyp me “DUHET”. Akademiku i vetë-eksploaton, i shtyrë nga dëshira për t’iu përshtatur kërkesave të jashtme, duke humbur autonominë e brendshme që është thelbi i vërtetë i lirisë.
Projektiligji, në shpirtin e tij të fshehur, nuk e përmirëson arsimin e lartë; ai e tjetërson atë. E shndërron nga një hapësirë publike ku shoqëria reflekton dhe kritikon veten, në një fabrikë për prodhimin e “kapitalit njerëzor” dhe “inovacionit” të përcaktuar nga tregu. Humbet raison d’être i universitetit: pra, elemmenti parimor që ai të jetë kritiku i shoqërisë, ruajtësi i kujtesës, dhe laboratori i të ardhmes alternative.
Prandaj, kundërshtimi ndaj këtij ligji nuk duhet të jetë vetëm teknik (p.sh., se kriteret janë shumë të larta), por edhe politik dhe filozofik. Ai duhet të jetë një kundërshtim kundër logjikës së tjetërsimit, kundër reduktimit të jetës mendore në statistika, dhe kundër pushtetit të panoptikut burokratik. Duhet kërkuar një ligj që nuk “rregullon” universitetin, por që i garanton kushtet për ekzistencën e tij autonome: financim të qëndrueshëm pa strings attached, liri të plotë për të përcaktuar programet dhe kriteret e brendshme, dhe mbrojtje të hapësirës universitare nga ndërhyrja e politikës së përditshme.
Universiteti nuk është një zyrë, ai është një tempull i mendimit. Dhe ky tempull duhet të mbetet i pavarur nga idhujt e efikasitetit dhe produktivitetit. Kjo që them nuk është romantizëm, por kushti i parë për ekzistencën e një shoqërie të lirë dhe reflektuese. Projektiligji aktual është një hap drejt varrimit të këtij koncepti mendoj se duhet të mendojnë mirë ata që e paraqesin, të tjerët që jenë komod dhe ata që drejtpërdrejtë do të preken nga ligji.


