I dërguari special i Bashkimit Evropian për sanksionet, David O’Sullivan, në prag të përvjetorit të katërt të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia deklaroi se sanksionet perëndimore kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në ekonominë ruse.
O’Sullivan pranoi se sanksionet nuk janë “një zgjidhje e lehtë” dhe se ato gjithmonë përballen me përpjekje për anashkalim, por theksoi se pas katër vitesh efektet e tyre janë të dukshme.
“Jam mjaft optimist. Mendoj se sanksionet kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në ekonominë ruse”, tha ai.
Sipas tij, gjatë vitit 2026 Rusia mund të përballet me një situatë të paqëndrueshme ekonomike, pasi ekonomia e saj është deformuar rëndë nga orientimi drejt industrisë së luftës, në dëm të sektorit civil.
“Sfidimi i ligjeve të gravitetit ekonomik mund të zgjasë vetëm për një kohë të kufizuar”, u shpreh O’Sullivan.
Deklaratat vijnë në një kohë kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndërsa vendi po përjeton një dimër ekstrem, me temperatura që në Kiev kanë zbritur deri në -20°C. Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka lëshuar dyfishin e dronëve dhe raketave në muajin e fundit krahasuar me janarin e vitit 2025.
Megjithatë, sipas BE-së, kjo makineri lufte ka një kosto të lartë për ekonominë ruse: të ardhurat nga nafta janë në rënie, inflacioni ka arritur rreth 6%, ndërsa normat e interesit kanë shkuar në 16%, niveli më i lartë që nga fillimi i luftës.
Që nga viti 2022, Bashkimi Evropian ka miratuar 19 paketa sanksionesh ndaj Rusisë, duke goditur mbi 2,700 individë dhe subjekte, si dhe duke ndaluar tregtinë në sektorë kyç si energjia, aviacioni, teknologjia, mallrat luksoze, diamantet dhe ari.
O’Sullivan theksoi se shumica e përpjekjeve për anashkalim të sanksioneve vijnë nga operatorë privatë që ndjekin përfitime ekonomike dhe jo nga qeveritë, ndërsa bëri përjashtim Kinën, për të cilën tha se po ofron mbështetje të qartë për Rusinë, megjithëse jo me armë direkte.
Ai shtoi se BE-ja ka pasur sukses në goditjen e “flotës në hije” të Rusisë, që përdoret për eksportin e naftës drejt Kinës dhe Indisë. Që nga dhjetori, rreth 600 anije cisternash janë përfshirë në listën e sanksioneve të BE-së.
/rtsh.al/


