Panorama Online ka siguruar dosjen e kontrabandimit të 2800 ton mbetje të rrezikshme me anijen Moliva nga Shqipëria drejt Tajlandës përmes portit të Durrësit. Në total u lëshuan 33 urdhër arreste për përgjegjësit, pasi u konstatuan shkelje nga kompania “Kurum”, “Sokolaj” që bleu mbetjet, por edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit. Për 26 u dha masa “arrest në burg” ndërsa për 7 “arrest në shtëpi”.
Sipas Prokurorisë së Durrësit, kompania “Kurum” ia ka shitur mbetjet kompanisë “Sokolaj shpk” me administratore Gjovana Sokolaj, dhe më pas kjo e fundit ia kalon “GS Minerals d.o.o.” me bazë në Kroaci, por që pas saj rezulton vetë si pronare Gjovana Sokolaj dhe përfaqësues Gjoni Sokolaj.
Prokuroria thotë se në total janë marrë 11 mostra nga 102 kontejnerët e ngarkuar në anijen Moliva me 2800 ton mbetje të rrezikshme, 1 nga shoqëria “Kurum International”, 1 nga “Sokolaj shpk” dhe 1 nga shoqëria Alliance sh.p.k. Po ashtu, 4 mostra janë marrë edhe nga materiali i sekuestruar në ambientet e shoqërisë nga Kurum, Sokolaj dhe Alliance. Më pas janë dërguar në një laborator në Itali, nga ku rezultoi se kishte prani të elementëve që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin.
“Në mostrat 1A-11A, PROK-3, PROK-1/PROK-2 dhe PROK-5 konstatohet prania e elementëve (dhe përbërjeve të tyre) që përbëjnë Rrezik për Shëndetin e njeriut dhe Mjedisin, kryesisht zinku (Zn), plumbi (Pb), kadmiumi (Cd) dhe arseniku (As). Këta elementë (dhe përbërjet e tyre), sipas klasifikimit përkatës të substancave përbërëse në kuadër të rregullores CLP, lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore. Për rrjedhojë, materialet kërkojnë menaxhim të kontrolluar dhe trajtim si mbetje të rrezikshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në dosje.
Prokuroria thotë se subjektet “Kurum International” dhe “Sokolaj” kanë qenë në dijeni të plotë të mbetjeve të rrezikshme dhe kanë kryer një sërë veprimesh për fshehjen e llojit të vërtetë të këtyre mbetjeve për t’i eksportuar ata jashtë Shqipërisë dhe për t’iu shmangur detyrimeve ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme. Sipas organit të akuzës, dy kompanitë janë përpjekur t’i paraqesin mbetjet herë si oksid hekuri dhe herë si oksid zinku.
KONTRATA DHE FATURAT E FALSIFIKUARA
“Kurum International” dhe “Sokolaj sh.p.k.” kanë lidhur një kontratë shitblerjeje më datë 1 gusht 2023, të firmosur nga administratorët përkatës Kurum Erdal Demir dhe Gjovana Sokolaj, ku objekt i kësaj kontrate ishte blerja e mallit oksid hekuri. Kjo kontratë është dorëzuar më pas në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit (AKM). Në bazë të kësaj kontrate, janë lëshuar dy fatura tatimore me përshkrim artikulli “oksid hekuri” dhe “oksid zinku”. Por, sipas Prokurorisë, ata janë përpjekur që ta fshehin ekzistencën e faturës për oksidin e zinkut, duke paraqitur një fature korrigjuese, në të cilën shkruhej se bëhej fjalë për oksid hekuri.
“Në bazë të kontratës datë 01.08.2023, Kurum ka lëshuar për Sokolaj faturat tatimore:
Nr.19107/2023 datë 16.11.2023, me përshkrim artikulli “Oksid Hekuri”, në sasinë 852.740 kg;
Nr.88/2023 datë 03.10.2023, me përshkrim artikulli “Oksid zinku (në thasë) 2000f”, me blerës “Sokolaj” sh.p.k.;
Nr.88/2023 Korigjuese me përshkrim artikulli “Oksid Hekuri””, thuhet në dosje.
Kjo faturë korrigjuese është riprodhuar jashtë sistemit të fiskalizimit duke përdorur të njëjtat të dhëna me faturën e mëparshme, por thjesht duke ndryshuar llojin e artikullit në “oksid hekuri”. Administratorja e kompanisë “Sokolaj” Gjovana Sokolaj ka qenë në dijeni të faktit se fatura korrigjuese ishte e falsifikuar pasi edhe për llogari të subjektit “Sokolaj” ka vepruar me këtë faturë të “Kurum International’.
“Në sistemin e tatimeve nuk ekziston asnjë Fature Tatimore me Nr.88/2023 korigjuese datë 03.10.2023 që të ketë korigjuar artikullin nga Oksid Zinku në Oksid Hekuri.
Shoqëria Sokolaj të njejtin produkt të blerë nga Kurum ia ka shitur shoqërisë GS Minerals Doo (në pronësi të Gjovana Sokolaj), me përshkrimin Oksid Hekuri (Zn) me faturat si më poshtë:
Nr.58 datë 11.11.2023 për 588.75 ton Oksid Hekuri (Zn), me vlerë 29.437.50 USD;
Nr. 13/2024 datë 27.03.2024, për 637.74 ton Oksid Hekuri (Zn), me vlerë 31.887.00 USD;
Nr.28/2024 datë 22 prill 2024 për 81.36 ton oksid Hekuri (Zn) me vlere USD 4,068.00;
Nr.58/2024 datë 03/07/2024 për 2,816.30 ton Oksid Hekuri (Zn) në shumën USD 40,815.00;
Faturat janë regjistruar ne librat e shoqërisë GS Minerals d.o.o. fakt që është konfirmuar Faturat autoritetet doganore kroate”, thuhet në dosje.
Pasi “Sokolaj” ia ka shitur shoqërisë GS Minerals d.o.o. (në pronësi të Gjovana Sokolaj), kjo e fundit ia ka shitur mallrat shoqërive Terry Thriving Trade Limited nga Hong Kongu dhe North Creek Resource PTE. Limited Singapor.Nga këto transaksione, ka rezultuar se sërish është ndryshuar përshkrimi nga “oksid hekuri (Zn) duke u paraqitur si “HQ IRON OXIDE”, dhe sasia është shitur për 140.815 dollarë, me të njejtën vlerë që Sokolaj ia ka shitur Gs Minerals.


