Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i mbrëmjes së të dielës në Rrilë të Lezhës, ku dyshohet se shënjestër ishte 21-vjeçari Merando Nikulaj.
Burime bëjnë me dije se Merando Nikulaj, nip i Ardian Nikulajt, i vrarë në prill të 2023, ka shkuar në berberhane në shoqërinë e efektivit të policisë Besart Kovaçi, i ndaluar tashmë për shpërdorim detyre.
Efektivi raportohet se i është përgjigjur me armë atentatorëve, të cilët qëlluan disa herë në drejtim të tyre, duke lënë të plagosur pronarin e berberhanes, Sokol Daci, 30-vjeç.
Mësohet së armën e policit ka patur 15 plumba dhe në krehër janë gjetur 5 plumba, pra ai ka qëlluar 10 herë.
Nga verifikimet e grupit hetimor në vendngjarje dyshohet edhe për një armë tjetër, pasi brenda ndërtesës janë gjetur 16 gëzhoja pistolete. Njëra prej gëzhojave ka ngritur dyshime për përdorimin e një arme të dytë nga brenda ambientit.
Ndërkohë, dyshohet se edhe Merando Nikulaj ka mbetur i plagosur, pasi në kamerat e sigurisë ai është parë teksa largohej duke ecur me vështirësi. Por nga kërkimet dhe në klinika private ai nuk është gjetur, duke u shpallur kështu në kërkim policor për t’u marrë në pyetje për ngjarjen e djeshme.
Kamerat e sigurisë kanë fiksuar dy automjete tip “Audi” dhe “Passat”, të cilat ndalojnë pranë sallonit. Nga to zbresin 7 persona, dy prej të cilëve të armatosur me kallashnikov. Në drejtim të berberhanes janë qëlluar mbi 30 plumba, tre prej të cilëve kanë plagosur Sokol Dacin.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rolit të çdo personi të përfshirë.


