Banorët e fshatit Luzë në Fushë-Krujë janë ngritur në protestë, siç kishin paralajmëruar, për shkak të gjendjes së rrugës së dëmtuar. Ata thonë se do ta bllokojnë rrugën derisa kërkesa e tyre për rregullimin e saj të merret parasysh nga autoritetet.
Për mediat, ata thonë se ranë “pre” e mashtrimit njëherë nga autoritetet, të cilët nuk e mbajtën premtimin për ta rregulluar rrugën në shtator.
“Ne do të rrimë këtu derisa të vdesim, nuk kemi për të hapur rrugë. Është bërë prej ibret, këtu ka kalamaj shkolle. Nuk ka pasur reagim kur protestuam.
Unë e bëj përditë këtë rrugë, por është tmerr.
“Rruga është për faqe të zezë, makinat na janë shkatërruar, taksat po ngrihen dita ditës. Ne të paguajmë gomë e pjesë makinash apo shtetin.
Ose do ta rregullojnë ose nuk do ta lirojmë fare më. As natën dhe as ditën. Do të rrimë këtu. Na gënjyen njëherë se thanë për në shtator.
Ne kemi dalë për rrugën këtu, është copë copë. Taksat ia paguajmë shtetit për makinat, por makina vetëm se s’ka gojë me fol se nuk futet këtu. “, u shprehën disa nga banorët.
Aulon Kalaja, ish kandidat i PD për deputet, është i pranishëm me banorët në protestë, i cili kërkoi reagim të menjëhershëm nga ARRSH. Ai theksoi se së bashku me banorët do të përcjellin një shkresë nëse është miratuar fondi për rregullimin e aksit.
“Kanë dalë për të drejtën e tyre legjitime për rrugën. Edhe sot e kanë bllokuar rrugën sepse janë në të drejtën e tyre. Kjo është një protestë për të drejtat e tyre qytetare. Kemi parë se në të gjithë Shqipërinë po bllokohen rrugët, po bien masive dheu ndërkohë që këtu është problem tjetër. Para 15 vitesh, kanë dalë këtu për të bllokuar rrugën që ky aks të mos bëhej sepse është rrugë lagjeje, fshati.
Luzi ia dha këtë rrugë qytetit të Fushë Krujës, e bëri këtë sakrificë dhe ta lënë Luzin në këtë formë është krim. Prandaj është e drejtë e këtyre banorëve jo vetëm me dalë në protestë por me bërë akse të tjera sepse këtu duhet një përgjigje. Prandaj bëj thirrje nga Luzi ARRSH, se e dimë se në çfarë skandalesh është përfshirë, të vij këtu drejtori dhe të shohë rrugën. Në rast se këtu kalon makina e tij, atëherë t’u thotë luzjanëve që të kalojnë edhe makinat e tyre.”, u shpreh Kalaja.


