Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Artion Duka ka dhënë dorëheqjen. Mësohet se vendimin për dorëheqjen nga detyra e ka bërë për arsye familjare.
Ndërkohë, në vend të tij është caktuar përkohësisht Armir Gjikolaj me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Artion Duka ka qenë dhe Drejtor i Forcave Operacionale. Gjatë kohës që mbante këtë post, ai u akuzua si i përfshirë në çështjen e përgjimeve dhe pajisjes misterioze ‘Imsi Catcher ‘.
Duka, në cilësinë e Drejtorit të Forcave Operacionale, u akuzua se nuk ka marrë masa për administrimin e pajisjes, si edhe për të siguruar që ajo nuk do të përdorej për qëllime të tjera, përveçse trajnimit.
Në atë kohë, në vitin 2016, ndaj tij u dha masa e arrestit shtëpiak së bashku me Specialistin pranë Forcës Operacionale, Ention Xhelilaj me akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa më vonë gjykata vendosi rikthimin e tyre në detyrë.


