Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi theksoi në Kuvend se qeveria socialiste, në 13 vitet e pushtetit, është përpjekur që ta imponojë korrupsionin si reformë, propagandën si integrim dhe kontrollin si drejtësi.
Nga Foltorja e Kuvendit, ku mbajti fjalën e tij, Bardhi, teksa përmendi rastin e Belinda Ballukut, zëvendës kryeministren për të cilin SPAK kërkon arrestimin, njëherësh zëvendës kryeministre, theksoi se socialistët për të mbrojtur karrigen e tyre kanë zgjedhur t’i nënshtrohen paligjshmërisë së “ diktuar nga Edi Rama dhe Belinda Balluku kundër SPAK-ut”.
“Dhe e keqja është se asgjë nuk ndodh rastësisht. Pas çdo bllokimi, pas çdo paligjshmërie, pas çdo sulmi ndaj drejtësisë, qëndron Edi Rama me modelin e tij antidemonokratik të ushtrimit personal të pushtetit. Ky nuk është thjesht një Kryeministër që toleron korrupsionin. Është një Kryeministër që e orienton, e mbron dhe e përdor korrupsionin si mjet qeverisjeje. Korrupsioni këto 13 vjet nuk është aksident. Është mënyra se si merren vendimet nga qeveria e Edi Ramës. Është mënyra se si shpërndahen paratë publike. Është mënyra se si mbahet pushteti. Korrupsioni është vetë sistemi.”, u shpreh Bardhi.
Sipas tij, problemi nuk qëndron te një vendim, zyrtar apo institucion i vetëm, por tek kryeministri që e ka kthyer paligjshmërinë në sistem dhe në mburojë personale.
“Prandaj, sot, problemi i këtij vendi nuk është një vendim i vetëm, një zyrtar i vetëm apo një institucion i vetëm. Problemi është një Kryeministër që ka kthyer paligjshmërinë në sistem dhe sistemin në mburojë personale. Problemi është një Kryeministër që ka sundon mbi ligjin, mbi Parlamentin dhe mbi drejtësinë.”, tha Bardhi.
I vetmi pushtet, sipas tij, që nuk ka kapur Rama është opozita, që vijon denoncimet, si dhe ndërgjegja qytetare.
“Megjithatë, akoma ka një gjë që ky pushtet nuk e kontrollon dot: opozitën dhe ndërgjegjen qytetare. Ne nuk jemi këtu për të pranuar fatin që na cakton Edi Rama. Nuk jemi këtu për të heshtur. Nuk jemi këtu për t’u mësuar me padrejtësinë. Nuk jemi këtu për të pranuar që Shqipëria të qeveriset nga frika.”, shtoi ai.


