Plakja e shpejtë e popullsisë dhe emigracioni i vazhdueshëm janë ndër sfidat më të mëdha strukturore me të cilat përballet ekonomia shqiptare. Kështu u shpreh Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë prezantimit të Raportit të Tranzicionit të BERZH për vitet 2025–2026.
Sipas Sejkos, këto fenomene janë identifikuar prej kohësh si përcaktuese për zhvillimin afatgjatë të vendit dhe tashmë po shfaqin ndikime konkrete në tregun e punës dhe në perspektivën e rritjes ekonomike.
Guvernatori iu referua parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilave vendi po shkon drejt përmbysjes së piramidës demografike.
“Plakja e popullsisë dhe emigracioni janë identifikuar herët në kohë si sfida përcaktuese për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë.
Vendi ynë pasqyron shumë nga tendencat e përshkuara në këtë raport të radhës, plaken e shpejtë të popullsisë të kombinuar me largim të të rinjve dhe të popullsisë në moshë punë.
Sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara këto dinamika pritet të intensifikohen edhe në vitet në vijim duke çuar në përmbysjen e piramidës demografike.
Popullsia ka ardhur në rënie, ndërkohë që mosha mesatare po rritet me shpejtësi. Mosha mesatare ka ardhur në 43 vjeç.
Emigracioni po shfaqet si një sfidë strukturore. Rritja ekonomike e qëndrueshme, nivelet historikisht të papunësisë dhe mungesa e fuqisë punëtore i kanë bërë të dukshme pasojat afatgjate”, tha Sejko.


