Të dhëna të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e autoriteteve greke për vrasjen e 49-vjeçarit shqiptar Jani Aliaj në burgun e Koridhalos pasditen e 19 janarit. Ndonëse në fillim ishte një 28-vjeçar grek që mori përgjegjësinë e krimit, autoritetet tani po shqyrtojnë mundësinë se autori i vërtetë mund të jetë dikush tjetër.
Sipas mediave greke, hetuesit janë përqendruar te 44-vjeçari shqiptar, Xhuliano Halili, i transferuar së fundmi në burgun ku ndodhi ngjarja dhe qëndronte në një qeli pranë atij të Aliajt. Autoritetet dyshojnë te Halili pasi atij i janë konstatuar plagë me thikë, gjë që tregon se mund të ketë pasur përleshje me viktimën.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që 44-vjeçari, i cili konsiderohet i dyshuar në këtë vrasje dhe kjo mundësi po hetohet, kishte vrarë një 35-vjeçar shqiptar në vitin 2011 për disa marrëveshje biznesi në Kalamata dhe pranë një lumi në zonë ai kishte vrarë fëmijën e tij 2-vjeçar me thikë, duke e goditur në qafë.”, shkruajnë mediat.
Autoritetet po shqyrtojnë tani nëse rrëfimi i të burgosurit grek ishte një përpjekje për të mashtruar ose mbuluar autorin e vërtetë të krimit, ndërsa priten rezultatet e analizave laboratorike për të finalizuar identifikimin e autorit të vrasjes brutale brenda burgut.
Kush është Xhuliano Halili
Xhuliano Halili, 44 vjeç nga Tepelena, i njohur si “Niko”, është i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi si vrasës me pagesë. Ai akuzohet për vrasjen brutale të dy shqiptarëve, babë e bir, në Kalamata në vitin 2011. Fëmija ishte 3 vjeç. Ai akuzohet gjithashtu dhe për disa vrasje të tjera me pagesë ndaj shtetasve grekë në vitet 2008–2009. Halili u arratis nga burgu në vitin 2018, por u kap shpejt. Në qershor 2024, brenda burgut të Koridhalos, vrau një të dënuar tjetër dhe plagosi një tjetër. Emri i tij u përmend edhe në hetimet për vrasjen e kushëririt të tij në vitin 2022 në Greqi.
Kush ishte Jani Aliaj
49-vjeçari nga Tepelena, i cili ndodhej i arrestuar në Greqi prej 31 dhjetorit 2024. Aliaj ishte dënuar me burg përjetë në Shqipëri, për vrasjen e Elton Çiços më 2016 në Tiranë, në një konflikt të vjetër mes tyre që përfundoi me hakmarrje dhe fatalitet. Gjithashtu akuzohej edhe për një ngjarje të ndodhur në vitin 2015 në Përmet, ku tentativa e vjedhjes së një sasie të madhe marihuane përfundoi me të plagosur.


