Petrit Ndou humbi jetën e tij duke shpëtuar 3 persona të moshuar që ndodheshin në rrezik.
Kështu shprehen familjarët e të ndjerit që u godit për vdekje me çekiç pas një konflikti në rrugë në zonën e Krujës ditë më parë, nga i arrestuari Andi Vokrri.
Krimi ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit të 20 janarit, në aksin rrugor Thumanë-Fushë Krujë, kurse në pranga u vu Andi Vokrri.
Bashkëshortja e ve e viktimës, Gjystina Ndou rrëfen se ka qenë bashkë me Petritin në makinë atë ditë duke u kthyer nga një festë familjare në Bushnet. Gjatë natës, rreth orës 00:00, duke u kthyer tek rruga e vendngjarjes, ata ndalojnë automjetin pasi shohin 2 mjete të bllokuara nga një tjetër (i agresorit).

“Duke u ulëritur dhe duke i goditur automjetet për arsye se s’po mundeshin t’i hapnit rrugën për të ecur mbrapsht njëkohësisht, Petriti identifikon automjetet pasi ishin të njohur dhe ishin së bashku tek mbrëmja dhe zbret direkt për t’i ndihmuar dhe për t’i drejtuar me qëllim hapjen e rrugës. Kur zbriti pa agresorin që po godiste pasagjeren e një prej makinave që ndodheshin brenda. Aty ishin Nikoll Aliaj dhe Lula Aliaj. Petriti u thotë se janë të moshuar, çfarë u bën? Nuk të vjen zor?! Dhe mbylli derën e pasgajeres që të mos godiste më agresori”, tregon Gjystina dinamikën e ngjarjes së rëndë.
Në këto momente ajo shpjegon se Andi Vokrri i kthehet Petritit me ofendime se donte të vazhdonte dhunën ndaj tyre. Në këtë moment, sipas saj, Petriti orienton Nikoll Aliaj dhe Mhill Cypi për t’u zbrapsur që të shpëtonin prej dhunës e të futeshin te një kthesë aty.
“Ai i la ata në vend të sigurt ku qëndruan deri në fund të ngjarjes në automjetet e tyre. Pas këtij momenti dy persona të tjerë dalin nga automjeti i Andi Vokrrit për t’u konfliktuar me Petritin”, vijoi ajo.
Gjystina thotë se në këtë moment ka ndërhyrë vetë për t’i ndalur.
Andi Vokrri sipas saj, vazhdonte sherrin përsëri duke ikur dhe te makina e Petrit Ndout duke i marrë dhe çelësin e mjetit dhe goditur automjetin. E ka shtyrë edhe atë.
“Në këto momente i thashë dhe iu luta Petritit që të iknim për t’u fshehur diku aty afër, se ishin të 3 persona agresorë, sepse ata ikën në makinë për të marrë armë ose çfarë do lloj mjeti për ta goditur”, thotë ajo.
Pasi janë larguar, kanë njoftuar vëllezërit e Gjystina Ndout dhe policinë për t’ju ardhur në ndihmë, pasi ndodheshin afër rrugës në shtëpi.

Por pas disa minutash Petrit Ndou del për të parë mjetin në rrugë, me idenë se agresorët kishin ikur nga vendngjarja, duke i thënë Gjystinës “të lutem qëndro këtu se duhet të kenë ikur agresorët”
Por kur ajo doli për të parë më pas se ku ndodhej Petriti, ai ishte sulmuar nga autorët.
Ajo thotë se një prej agresorëve shkoi drejt saj dhe mbante diçka si elektrik në dorë, për ta goditur. Por në ato momente mbërritën vëllezërit e saj.
Gjystina rrëfen se e pyeti agresorin se ku ndodhej Petriti dhe ai i ishte përgjigjur se:
“Është në tokë, disa metra më tutje”.
Pasi shkuan te vendi, gjetën Petritin pa ndjenja, pasi e kishte humbur jetën në vend. Ajo thotë se e kishin goditur me çekiç pas koke në pabesi. Arma e krimit ishte pranë trupit të viktimës.
Pas këtij momenti ka arritur dhe policia dhe është kapur në flagrancë i dyshuari Andi Vokrri, që ndodhet në paraburgim.


