Protesta e opozitës së bashkuar para kryeministrisë, e cila nisi në orën 17:30 zgjati rreth 3 orë. Fillimisht tubimi nisi i qetë dhe me fjalimet e disa deputetëve të Partisë Demokratike dhe të kreut të PD, Sali Berisha.
Në përfundim të fjalimit të kryedemokratit, një grup protestuesish hodhën bomba molotov drejt godinës qeveritare, ndërsa policia ndërhyri duke përdorur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe rivendosur rendin në perimetër.
Pas tensioneve para kryeministrisë, protestuesit u zhvendosën drejt Parlamentit, ku edhe aty për më shumë se një orë pati tensione dhe përplasje mes policisë dhe militantëve demokratë.
Si para kryeministrisë edhe para Parlamentit zona u rrethua si skenë krimi, ku ekspertët e kriminalistikës mblodhën provat.
Nga demokratët u raportua se qytetarë dhe protestues u shoqëruan nga policia në mënyrë të padrejtë. Ndërsa nga policia u raportua se disa efektivë mbetën të lënduar.
Ndërkohë në fjalën e tij, Sali Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion dhe bllokim të drejtësisë, ndërsa theksoi se zemërimi i qytetarëve është i drejtë dhe i ligjshëm.


