Vijojnë problematikat në aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë, konkretisht në Lotin e dytë, në afërsi të kthesës së fshatit Trebinjë.
Sipas informacioneve, traseja e rrugës ka pësuar çarje dhe fundosje, duke bërë që qarkullimi të kryhet vetëm në një korsi, pasi kjo pjesë e rrugës konsiderohet e rrezikshme për lëvizjen e automjeteve.
Vlen të theksohet se rruga Qukës–Qafë Plloçë ka shfaqur problematika të shumta, edhe pse ka vetëm 5 muaj që është inauguruar.
Situata u bë më problematike pas reshjeve të muajve nëntor dhe janar, të cilat sollën probleme serioze, ku masive dherash dhe shkëmbinjsh ranë në trupin e rrugës.
Në rastin e parë u gjet një zgjidhje alternative duke hapur një bypass, ndërsa në rastin e dytë rruga u mbyll për rreth 10 ditë.
Më të rrezikuar nga kjo situatë shprehen drejtuesit e mjeteve, të cilët thonë se punimet janë të dobëta dhe se kanë frikë të qarkullojnë në këtë rrugë.
Nga ana tjetër, ata theksojnë se e gjithë kjo situatë e rëndë vjen si pasojë e neglizhencës institucionale dhe grabitjes së milionave eurove të investuara në këtë rrugë.
Kujtojmë se ky aks rrugor ka pasur një kosto ndërtimi prej 260 milionë eurosh dhe janë dashur 16 vite që të inaugurohet.

