Ish deputeti Lefter Maliqi, i cili më herët ka mbajtur postin e zv Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, theksoi se arratisja e Altin Ndocit ka qenë e mirëorganizuar, duke drejtuar gishtin nga politika, policia dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në një intervistë për News 24, ai theksoi se duhet të bëhet një hetim i thelluar, dhe jo të bëjnë show siç bënë pas arratisjes së Ndocit. Maliqi sqaroi edhe procedurat që ndiqen në raste kur një i burgosur me rrezikshmëri të lartë duhet të shoqërohet në spital.
Sipas Maliqit në arratisjen e Ndocit mund të jenë “luajtur” shumë para dhe se ka veprime të ndërlidhura me policinë, politikën dhe burgjet.
“Shqiptarët panë show pas arratisjes. Rreth 33 të paraburgosur i çuan në Peqin apo Fier, që dmth se krimi e korrupsioni është kthyer në sistem jo vetëm në burgjet. Si zëvendës drejtor i përgjithshëm i burgjeve dua të sqaroj se procedura është komplet e dështuar për shkak sepse në të gjitha paraburgimet, IEVP apo burgjet e Shqipërisë, ku të paraburgosurit apo të burgosurit janë të sëmurë, ke të atashuar sektorin e Shëndetësisë në çdo burg apo paraburgim dhe kur mjeku e çon në spitalin e burgut.
Nëse nuk e merr përsipër e çon në një nga spitalet e vendit. Kur një person me rrezikshmëri të lartë, menjëherë ngrihet një komision, i përbërë nga sektori i shëndetësisë-juridik i policisë, firmoset nga drejtuesi i burgut të Durrësit dhe njoftohet drejtoria e përgjithshme ku aty ka edhe një Komision tjetër. Drejtori i përgjithshëm i burgjeve vendos se në këtë datë do të bëhet shoqërimi i këtij personi me rrezikshmëri të lartë dhe ftohet menjëherë policia. Në rastin konkret është një krim i organizuar, dyshohet me pagesë siç ndodhi vrasja në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin, dhe është për t’u habitur si ka mundësi shoqërohet me tre policë. Ndërkohë që duhet të ishin forcat e DAP sipas rregullores. Duheshin edhe forcat e policisë së shtetit. “, u shpreh Maliqi.


