Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i kthyer mbrëmjen e kaluar nga Spanja, shfaqet i vendosur të braktisë qasjen e butë ndaj protestave bujqësore, pas dështimit për herë të tretë të një takimi me përfaqësuesit e fermerëve. Burime qeveritare bëjnë të ditur se ai është i irrituar nga fakti që sindikalistët e Asamblesë Panhelenike të Blloqeve kanë vënë sërish në dyshim zhvillimin e dialogut.
Megjithatë, sot në orën 15:00, kryeministri pritet të takohet me rreth 20 përfaqësues të blloqeve bujqësore nga Selaniku, Greqia Veriore, Thesalia dhe Peloponezi, të cilët kanë shprehur gatishmëri për negociata.
Që prej ditës së djeshme, qeveria greke ka rritur tonin, duke ia atribuar përgjegjësinë për dështimin e dialogut sindikalistëve bujqësorë. Sipas saj, është bërë e qartë se synimet e tyre nuk lidhen me përmbushjen e kërkesave legjitime të botës bujqësore.
Edhe pse pati kontakte dhe bisedime joformale mes ministrit të Bujqësisë Kostas Tsiaras dhe disa drejtuesve sindikalë nga bllokada e Nikaias, linja e ashpër e protestuesve dominoi dhe takimi i paralajmëruar për në orën 13:00 me kryeministrin, i konfirmuar publikisht nga zëdhënësi i qeverisë Pavlos Marinakis, u anulua.
Sipas burimeve qeveritare, Athina kishte pranuar edhe një numër më të madh përfaqësuesish (deri në 23–24 persona), por sindikalistët këmbëngulën për 35 pjesëmarrës, përfshirë fermerë, blegtorë, bletarë dhe një peshkatar. Qeveria e refuzoi këtë kërkesë, duke e cilësuar si mungesë vullneti për dialog.
“Edhe një herë, përpjekja për dialog dështon për shkak të një pakice përfaqësuesish që e përdorin luftën bujqësore për interesa personale ose jashtë kornizës institucionale”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit.
Një tjetër vijë e kuqe për qeverinë lidhet me përfshirjen e sindikalistëve që janë nën hetim. Mes tyre përmenden emra të lidhur me hetime për subvencione të OPEKEPE-së, si dhe Kostas Terzakis, president i fermerëve blegtorë të Magnesias, i cili dyshohet se ka dëmtuar një automjet policie gjatë protestave në Larisa.
“A prisni seriozisht që kryeministri të ulet në të njëjtën tryezë me dikë që shkatërron makina policie?”, mësohet të ketë thënë ministri Tsiaras gjatë diskutimeve.
Pas dështimit të tretë të dialogut, qeveria po kalon në Planin B, që përfshin sanksione administrative ndaj pronarëve të traktorëve, bazuar në Kodin e Procedurës Civile, si dhe aktivizimin e prokurorive për pengimin e transportit publik.
“Shoqëria nuk ka më kohë për ata që vazhdojnë gjimnastikën e tyre revolucionare”, theksojnë burime qeveritare, duke paralajmëruar përfshirjen e autoriteteve nëse protestat përshkallëzohen.


