Banorët në fshatin Çiflik të Beratit dolën në protestë mbrëmjen e së shtunës kundër mbylljes së një kanali. Sipas tyre, kanali shërben për shkarkimin e ujërave të lumit dhe me mbylljen rrezikojnë të përmbyten. Ata ngritën gjithashtu shqetësimin se në zonë nuk merren masa për parandalimin e përmbytjeve.
Ata thonë se i janë drejtuar bashkisë por nuk kanë gjetur zgjidhje.
“Nuk e di se qysh i marrin vendime. Vajtëm në bashki, nuk kishte njeri dhe na gënjenin. Do t’jua nxjerrim bojën. Po mbytemi kot. Nëse uji del në rrugë mbytemi të gjithë. Nuk na shpjegojnë se pse duan ta mbyllin kanalin. Pyetini ata. Ne do t’jua nxjerrim bojën.”, komentuan disa banorë që dolën për të protestuar.
Ata theksuan se po u bëjnë edhe presion.
“I bëj thirrje kryeministrit që të heqin policinë nga këtu. Po na bëjnë presion. E mora në telefon ma mbylli. Ku do të vemi e të mbytemi. Janë të korruptuar në asnjë vend të botës nuk mbyllen kanalet”, komentuan sërish ata.
Akuzojnë bashkinë se ka urdhëruar makina me inerte dhe zhavor për t’i hedhur e bllokuar kanalin.
“Kjo është e treta herë. Ndihmon edhe policia për të bllokuar urën këtu. Kjo është zona Çiflig. Është bllokuar nga bashkia se ka hall se mbyten atje ku kanë marrë paratë e korrupsionit. Ky është kanali kryesor, ëahtë bërë enkas për shkarkimin e ujërave të lumit. Kryetarja e bashkisë ka dhënë urdhër dhe ka sjellë makina të mëdha e inerte që të mbetet Çifligu për të mbrojtur serat andej. Jam pëmbytur dy herë dhe asnjëherë nga shteti nuk ka ardhur. Të tretën herë vendosëm të bëjmë lapidar këtu. Po na mbysin vetë me duart e tyre”, u shprehën disa të tjerë.


