Reshjet e dëborës dhe akullit kanë krijuar problematika serioze në qarkun e Dibrës dhe veçanërisht në “Rrugën e Arbrit”.
Aksi kombëtar informohet se është bllokuar prej orësh dhe gjithashtu është krijuar radhë e gjatë disa kilometra e mjeteve në pritje.
Lëvizja bëhet me vështirësi dhe vetëm me zinxhirë, pasi mjetet rrëshqasin. Radha kilometrike nga të dyja anët rrugës ka shkuar deri në 10 km.
Policia apelon që drejtuesit e mjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë dhe të ecin brenda normave të lejuara.
Por edhe në qarqet e tjera të vendit situata është kaotike në rrugë, për shkak të përmbytjeve, shiut, borës, ngricave dhe temperaturave të ulëta e lagështirës në akse që janë burime aksidentesh.
Policia ka dalë me njoftim zyrtar, ku jep edhe këshilla për drejtuesit.
Njoftimi i Policisë së Shtetit për drejtuesit në të gjithë vendin:
“Për shkak të motit të keq, me reshje shiu, breshëri dhe dëbore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia e Shtetit apelon që drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të tregojnë më shumë kujdes gjatë qarkullimit.
Në zonat malore, drejtuesit e automjeteve të kenë me vete mjetet antirrëshqitëse dhe të përdorin goma dimërore. Shërbimet e Policisë po koordinojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve në të gjitha zonat ku ka prezencë të breshërit dhe dëborës, me qëllim pastrimin në kohë të rrugëve.
* Moderoni shpejtësinë
* Mos kryeni parakalime të gabuara
* Mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit
* Mos drejtoni automjetin nën efektin e alkoolit.
Shërbimet e Policisë po koordinojnë me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve në të gjitha zonat ku ka prezencë të breshërit dhe dëborës, me qëllim pastrimin në kohë të rrugëve.
Ndiqni udhëzimet e shërbimeve policore dhe për çdo nevojë, telefononi në 112”.


