Vijojnë problematikat në disa qarqe të vendit për shkak të reshjeve të shiut. Situata paraqitet më kritike në Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat.
Reshjet intensive të shiut kanë sjellë sërish rritje të prurjeve nga disa lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash si dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Më konkretisht, sipas Mbrojtjes, në qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në zonat Ana e Malit dhe Dajç. Në Durrës, zona më e prekur, janë konstatuar dëme në 1 711 banesa, janë evakuuar 851 persona ndërsa rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prej ditësh nën ujë, kryesisht në Sukth dhe Katund të Ri.
Në qarkun Lezhë, ka prani uji në disa banesa, rritje të nivelit të lumit Mat për shkak të shkarkimeve nga HEC-et dhe probleme me hidrovorin e Gocajve për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Në qarkun Gjirokastër, janë shënuar rrëshqitje dherash në disa akse rrugore. Po ashtu edhe në Dibër, raportohen rrëshqitje dherash dhe probleme lokale në qarkullimin rrugor. Në Berat, rritja e prurjeve të lumit Osum ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore. Po ashtu edhe në Elbasan, prurjet e rritura të lumit Devoll kanë përmbytur sipërfaqe bujqësore.
Njoftimi i plotë:
Si pasojë e reshjeve intensive të shiut të regjistruara gjatë orëve të fundit, në disa qarqe të vendit janë evidentuar problematika të lidhura me rritjen e prurjeve në disa lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash si dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera raportohen problematika të kufizuara ose situatë e qëndrueshme.
Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën, duke evidentuar pikat me risk dhe duke marrë masa paraprake për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.
Në Qarkun Durrës janë verifikuar gjithsej 5 477 banesa, nga të cilat në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji. Vijon puna për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve.
Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie përgjithësisht në tokat bujqësore. Forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve, ku është evidentuar mungesë energjie elektrike. Niveli i lumit Drin vijon të jetë në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.
Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e disa akseve rrugore, ku janë shënuar rrëshqitje dherash, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte.
Në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.
Në terren janë të angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, po asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente, sipas nevojave të autoriteteve vendore.
U bëjmë thirrje banorëve të zonave të prekura të kontaktojnë autoritetet vendore për çdo nevojë dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren për menaxhimin sa më efektiv të situatës.


