Anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Ilirjana Kuçana, ka kallëzuar në SPAK Bashkinë e Durrësit, Ministrinë e Bujqësisë dhe Drejtorinë e Kullimit për “shpërdorim detyre”, pas përmbytjeve që kanë ndodhur në qytet ditën e fundit për shkak të motit të keq.
Siç tha ajo, kallëzimi në SPAK erdhi pasi çështja ka kaluar për mos kompetencë në Prokurorinë e Durrësit, “e cila e ka “larë” me shishen e verës së Ergys Agasit 33 mijë euro”.
Ajo u shpreh për mediat se Bashkia Durrës ka bërë një investim rreth 19 mln euro për hidrovorin, ku vetë kryebashkiakja Sako ka deklaruar se Durrësi nuk do të ketë më probleme me përmbytje.
“Jo vetëm që ka 3 ditë nën ujë, por keni parë që këta kanë arritur të përmbysin edhe Gjirokastrën”, tha ajo.
Kuçana i ka bërë thirrje kreut të Prokurorisë së Posaçme të merret personalisht dhe seriozisht me këtë kallëzim, pasi bëhet fjalë për 400 mijë banorë të Durrësit dhe jo vetëm
“Çështja ka kaluar për mos kompetencë në Prokurorinë e Durrësit, e cila e ka “larë” me shishen e verës së Ergys Agasit 33 mijë euro dhe deri më sot unë nuk jam thirrur dhe nuk kam informacion se çfarë ka ndodhur me përmbytjen e 2025.
Rikthehemi tek përmbytja e 2026. Kemi një investim rreth 19 mln euro për hidrovorin ku vetë zonja Sako në statusin e saj, thotë që Durrësi nuk do të ketë më probleme me përmbytje. Jo vetëm që ka 3 ditë nën ujë, por keni parë që këta kanë arritur të përmbysin edhe Gjirokastrën. E kuptoni se çfarë bande e strukturuar kriminale janë.
I bëj thirrje drejtuesit të ri të SPAK Klodian Barahos të merret personalisht dhe seriozisht me këtë kallëzim, pasi bëhet fjalë për 400 mijë banorë të Durrësit dhe jo vetëm, pasi janë përmbytur edhe zona të tjera. Ju siguroj se nuk është përmbytje dhe çështje Zoti. Kam ardhur këtu të bëj përgjegjës atë që mendon se është zoti i shqiptarëve, Rama që në shërbim ka vënë djajtë e tij”, tha ajo.


