Ish-futbollisti i njohur i Real Madridit dhe legjenda e futbollit brazilian, Roberto Carlos, është transportuar me urgjencë në spital pasi ka pësuar një infarkt, teksa ndodhej në Brazil.
Lajmi u bë i ditur nga emisioni i mëngjesit Espejo Público i televizionit spanjoll Antena 3, ku prezantuesja ndërpreu transmetimin për të informuar mbi zhvillimet e fundit. Sipas gazetarit dhe komentatorit Kristóbal Soria, ish-lojtari i kombëtares braziliane iu nënshtrua një ndërhyrjeje të menjëhershme mjekësore.
Roberto Carlos ndodhej në Brazil së bashku me bashkëshorten dhe një nga fëmijët e tij, kur ka ndier shqetësime shëndetësore. Ai u dërgua menjëherë në një spital në Sao Paulo, ku mjekët konstatuan se kishte pësuar infarkt të miokardit.
Operacioni, i cili fillimisht ishte planifikuar të zgjaste rreth 40 minuta, u zgjat për afro tre orë për shkak të një komplikacioni të shfaqur gjatë ndërhyrjes.
Sipas informacioneve të fundit, Roberto Carlos ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por po qëndron i shtruar në spital nën mbikëqyrje të rreptë mjekësore.


