Pas vlerësimit të performancës së strukturave vendore, të kryer nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (DPPSH), Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka firmosur ditën e sotme disa shkarkime nga detyra.
Me motivacionin e performancës së dobët, janë shkarkuar nga detyra Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Drejtues Altin Mena, si dhe zv.drejtori për Rendin, Kryekomisar Taulant Gjoka.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm ka komanduar në detyrën e Drejtorit të DVP Lezhë zv.drejtorin për Hetimin e Krimit, drejtues Kujtim Gjoka.
Po me të njëjtin motivacion janë shkarkuar nga detyra edhe Shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, Mariglen Duçi, si dhe Shefi i Komisariatit të Policisë Kamëz, Besmir Dervishi.
Sipas burimeve zyrtare, procesi i vlerësimit të performancës do të vijojë edhe në struktura të tjera të Policisë së Shtetit.


