Një 54-vjeçar është arrestuar në Pogradec pasi e kishte kthyer lokalin që kishte në administrim në një bazë për shitje të lëndëve narkotike.
Sipas policisë, 54-vjeçarit Luan Sulstarova, zjarrfikës në bashkinë Pogradec, iu gjetën në loakl doza lënde narkotike gati për shitje, një shumë parash si edhe dy aparate celulare.
Sulstarova u pezullua nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara. Mësohet se deri në përfundim të hetimeve dhe zbardhjes së plotë të rrethanave, zjarrfikësi do të jetë i pezulluar nga detyra.
Njoftimi i policisë:
Hetime me metoda proaktive dhe kontrolle intensive, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Aktiviteti”.
Përdorte lokalin që kishte në administrim, për të ushtruar aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, vihet në pranga 54-vjeçari.
Sekuestrohet një sasi lëndë narkotike e dyshuar kanabis dhe një shumë parash që i posedonte i arrestuari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, të DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë kryer hetime me metoda proaktive dhe si rezultat kanë goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Aktiviteti”, u arrestua në flagrancë shtetasi L. S., 54 vjeç, banues në Pogradec, (zjarrfikës në bashkinë Pogradec).
Nga kontrolli në lokalin që administronte ky shtetas, në lagjen nr.1, Pogradec, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, një shumë parash e cila dyshohet të jetë siguruar nga ky aktivitet dhe 2 aparate celularë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.


