Kreu i ri i SPAK, Klodian Braho, u përball me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që përpara se të merrte zyrtarisht detyrën, kur u paraqit në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për të kërkuar autorizim për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku. Ceremonia e dorëzimit të detyrës nga paraardhësi i tij, Altin Dumani, u zhvillua tre ditë më vonë.
Në një intervistë për BIRN, Braho ka bërë të ditura prioritetet e drejtimit të tij në krye të Strukturës së Posaçme, institucion që gëzon nivelin më të lartë të besueshmërisë publike dhe mbështetje të fortë nga SHBA dhe Bashkimi Europian.
Ai theksoi se fokusi kryesor do të jetë garantimi i barazisë para ligjit, duke nënvizuar se askush nuk do të jetë mbi të. Sipas tij, SPAK do të vijojë hetimet e thelluara për çështjet në proces, përfshirë verifikimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe konfiskimin e tyre.
Braho theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të pavarësisë dhe profesionalizmit të prokurorëve dhe hetuesve, si dhe rritjen e kapaciteteve institucionale për mbledhjen dhe analizën e informacionit.
“Synimi ynë është rritja e besimit të qytetarëve te drejtësia, përmes standardeve të larta në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi kreu i SPAK, i cili ka marrë zyrtarisht detyrën më 19 dhjetor.


