Sipërmarrësi Nikollaq Neranxi ka përcjellë një urim ndryshe, por edhe sensibiluzues për një Vit të Ri pa korrupsion dhe varfëri, plot shpresë e dinjitet për shqiptarët e mirë të këtij vendi.
Neranxi ka publikuar një video ku ndër të tjera thotë se kompania e tij ka punuar shumë dhe ka fituar shumë. Për ta ilustruar, fitimin ai e krahasoi me një tortë, duke thënë se tani ka ardhur koha ta shijojmë
Por në video ilustrohet se të gjitha pjesët e tortës i ka ngrënë shteti dhe vetëm një copë e vogël ka mbetur për biznesin dhe punëtorët e saj.
Një pjesë tortë e merr TVSH, një pjesë tatimi mbi fitimin, një pjesë tjetër tatimi mbi burimin, taksa doganore, sigurimet, akciza, taksa mbi truallin, taksa mbi arsimin, taksa e pastrimit, taksa e tabelës.
“Ky është realiteti i një sipërmarrësi shqiptar që ka zgjedhur të punojë në mënyrë të ndershme. Paguan taksa pa fund, energji elektrike, ujë dhe karburant me çmime stratosferike dhe në fund të vitit është një mjeran, që xhiroi miliarda por që shteti ia mori pothuajse të gjitha fitimet”, tha Nikollaq Neranxi, i cili thekson se “taksat i vodhën pushtetarët”.
Me ironi, Neranxi i thotë një punonjësi që mund të punojë pa taksa në Kolumbi, Ekuador apo tek “çunat e Londrës”.
Në fund ai uron që në vitin 2026 Shqipëria të mos jetë parajsa e këtyre tregtarëve, por vendi i njerëzve që punojnë me ndershmëri dhe politikanëve që i shërbejnë popullit.


