Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci është paraqitur pasditen e kësaj të premteje (19 dhjetor) në Prokurorinë e Posaçme, ku ka qëndruar për rreth dy orë.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Beci është përballur me gazetarët, por ka “kyçur” gojën para tyre, duke mos bërë asnjë prononcim mbi arsyet e paraqitjes së tij në SPAK.
Kujtojmë që kryebashkiaku socialist është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Ndaj Becit u regjistrua procedim penal për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike, kryer në bashkëpunim më 23.10.2024.
Ndërkohë më 23 prill 2025, prokurori Dritan Prençi e mori të pandehur kryebashkiakun socialist.
Beci akuzohet për tenderin me vlerë 700 mijë euro të vitit 2019, me objekt zhvillimi strategjik i sektorit energjitik (projekt kërkimor).
Bashkë me Benet Becin, nën hetim për këtë tender janë marrë edhe disa zyrtarë të tjerë me rol në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave.


