Në një moment vendimtar për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, Banka Evropiane e Investimeve po forcon praninë dhe angazhimin e saj në vend.
Alessandro De Concini, përfaqësuesi i sapoemëruar i BEI Global për Shqipërinë, flet në një intervistë për “Panorama” mbi mundësitë kryesore të rritjes ekonomike, prioritetet e investimeve dhe rolin e Bankës së BE-së në përshpejtimin e integrimit evropian të vendit. Nga infrastruktura dhe energjia e pastër, te mbështetja për bizneset e vogla dhe modernizimi i hekurudhave, De Concini shpjegon se pse “koha për të investuar në Shqipëri është tani” dhe cilat janë projektet që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Si përfaqësues i sapocaktuar për Shqipërinë, cilat ju duken mundësitë më të mëdha për rritjen ekonomike të vendit?
Më lejoni të filloj duke thënë se është një nder i madh dhe një sfidë emocionuese të drejtoj zyrën e Bankës Evropiane të Investimeve (EIB Global) në Shqipëri në një moment kaq vendimtar, ndërsa vendi vazhdon përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përfaqësia jonë mbështet misionin dhe aktivitetet e Bankës në përputhje me objektivat e BEsë, duke u përqendruar te marrëdhëniet institucionale dhe zhvillimi i biznesit. Për sa i përket rritjes ekonomike, mundësitë më të mëdha të Shqipërisë qëndrojnë te një model zhvillimi që është i gjelbër, i integruar me rajonin dhe me BE-në, i udhëhequr nga sektori privat dhe të përafruara me acquis-in e BE-së. Fokusi i EIB Global është të mbështesë investimet që përshpejtojnë konvergjencën me Bashkimin Evropian, forcojnë qëndrueshmërinë dhe u japin mundësi shqiptarëve të marrin pjesë plotësisht në transformimin ekonomik të rajonit. Për mendimin tim, ekzistojnë tre fusha kyçe: infrastruktura e qëndrueshme, siguria energjetike dhe bizneset e vogla dhe të mesme.
Në fushën e infrastrukturës, Shqipëria ka bërë përparim të mirë, por ende mbeten boshllëqe, sidomos në transport, në shpërndarjen e energjisë dhe në sistemet e ujësjellësit/kanalizimeve, të cilat vazhdojnë të pengojnë rritjen ekonomike. Mundësia qëndron tek investimet e përafruara me BE-në dhe që janë rezistente ndaj klimës, të cilat përmirësojnë lidhshmërinë, ulin kostot për bizneset dhe forcojnë qëndrueshmërinë ndaj fatkeqësive natyrore. Për shembull, EIB Global po mbështet modernizimin dhe elektrifikimin e korridoreve kryesore hekurudhore në vend. Në sektorin e energjisë, është e rëndësishme të diversifikohet prodhimi i energjisë elektrike, të rritet siguria, të stabilizohen çmimet, si dhe të pozicionohet Shqipëria si një lider rajonal në energjinë e pastër. Mbështetja e tepruar tek energjia hidrike krijon pika të dobëta, ndërkohë që ekziston potencial i madh rritjeje në kapacitetet e tjera të energjisë së rinovueshme, si dhe në modernizimin e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes. Në këtë aspekt, ne planifikojmë ta mbështesim sektorin me anë të një numri projektesh dhe nismash që janë në fazë përgatitore.
Së fundi, për bizneset e vogla dhe të mesme, baza e ekonomisë shqiptare, mundësitë e rritjes vijnë nga lehtësimi i aksesit në financimin afatgjatë, mbështetja e dixhitalizimit, rritja e produktivitetit dhe nxitja e inovacionit dhe e investimeve të orientuara drejt eksporteve. Kjo është pikërisht ajo që bën Grupi i BEI-së nëpërmjet partneriteteve me bankat tregtare. Mijëra biznese të vogla në Shqipëri kanë përfituar nga financimi dhe huadhënia e ofruar nga bankat shqiptare me kushte të favorshme, falë garancive tona, instrumenteve të ndarjes së riskut dhe linjave të kreditit. Kemi akoma shumë për të bërë në vitin 2026, me një instrument që kombinon kredi dhe grante në mbështetje të inovacionit, dixhitalizimit dhe tranzicionit të gjelbër.
Cilat do të jenë përparësitë tuaja kryesore në vazhdim?
Përparësitë e mia përfshijnë ndërtimin dhe forcimin e linjave të besuara dhe të drejtpërdrejta të komunikimit me të gjithë partnerët kyçë në Shqipëri. Në këta muajt e parë pasi mora emërimin, jam mirënjohës që kam pasur mundësinë të marr pjesë në aktivitete të shumta, konferenca dhe diskutime, ku jam takuar me autoritete, investitorë dhe biznese dhe kam prezantuar punën që Grupi i BEI-së po bën në Shqipëri. Një aktivitet vërtet i veçantë ishte Forumi i parë i Investimeve BE–Ballkani Perëndimor në Tiranë, ku Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dha një mesazh të qartë: koha për të investuar në rajon është tani.
Në dy vitet e ardhshme, presim me padurim të mbështesim autoritetet në zbatimin e projekteve prioritare ambicioze në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së. Kjo është një mundësi e veçantë për një brez të tërë për të mbyllur boshllëqet në investime, duke përmbushur njëkohësisht axhendën e qeverisë dhe të Bashkimit Evropian për reforma. Mbështetja e këtyre përpjekjeve do të mbetet në thelb të misionit të EIB Global. Ne do të vazhdojmë të japim financim dhe shërbime këshillimi që e ndihmojnë vendin të jetë i përafruar me standardet evropiane— veçanërisht në fushat e infrastrukturës, mjedisit dhe energjisë. Forcimi i kapaciteteve të institucioneve publike për të përgatitur dhe për të zbatuar projekte investimi me cilësi të lartë do të jetë një pjesë e rëndësishme e kësaj nisme.
Ndërsa po i afrohemi fundit të vitit, cilat kanë qenë aktivitetet kryesore të BEI-së në Shqipëri gjatë këtij viti?
Në vitin 2025 kemi forcuar lidhjet me Shqipërinë duke nënshkruar një marrëveshje me vendin pritës, me qëllim ofrimin e një ndihme më praktike në terren. Në prill nënshkruam një paketë financiare prej 90,5 milionë eurosh të mbështetur nga BE-ja, për modernizimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë me gjatësi 34 km, e cila shtrihet përgjatë Korridorit 8 Ndër-Evropian multimodal, i cili lidh portet e Italisë Jugore me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Kjo vjen pas angazhimit tonë prej 100 milionë eurosh vitin e kaluar për linjën Vorë–Hani i Hotit, e mbështetur gjithashtu nga mbi 130 milionë euro grante të Bashkimit Evropian. Të dyja projektet forcojnë ndërlidhjen, tregtinë dhe transportin e qëndrueshëm në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Jemi krenarë që së bashku me BERZH-in, jemi partneri i zgjedhur për modernizimin e rrjetit hekurudhor në vend. Gjatë këtij viti kemi nënshkruar gjithashtu një marrëveshje me Bankën e Shqipërisë për ofrimin e asistencës teknike në kuadër të programit tonë për Sistemet Financiare të Gjelbra.
Me anë të kësaj, nisme po ndihmojmë në zhvillimin e një taksonomie kombëtare të gjelbër dhe në integrimin e vlerësimit të riskut klimatik në proceset e vendimmarrjes dhe raportimit. Synimi është fuqizimi i bankave për të nxitur investime të qëndrueshme në sektorin privat. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi rregulloret klimatike të BE-së, duke përfshirë të ashtuquajturin Mekanizmi i Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM), së shpejti do të kërkojnë që eksportuesit, të cilët kanë impakt të madh në emetimet e karboneve, të deklarojnë emetimet. Megjithëse është sfiduese, kjo është një mundësi për industrinë shqiptare që të përcaktojë një rrugë të qartë për dekarbonizimin dhe të sigurojë vendin e saj në zinxhirët globalë të vlerës.
Për mendimin tuaj, cili duhet të jetë fokusi kryesor i investimeve të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE?
Ne shohim potencial të madh në forcimin e ndërlidhjes në sektorët dixhitalë, si dhe në sektorët e transportit dhe energjisë, të cilët janë nxitës kyçë për integrimin e tregut, stabilitetin, aftësinë konkurruese, sigurinë dhe lëvizjen pa pengesa të mallrave dhe shërbimeve. Ndërsa Shqipëria synon të kthehet në një destinacion turistik lider, përmirësimi i infrastrukturës së transportit dhe logjistikës, i kombinuar me përpjekjet për dekarbonizim, do të ndihmojë në arritjen e këtij synimi.
Në këtë kontekst, shërbimet tona të këshillimit tashmë e kanë ndihmuar qeverinë të hartojë një plan gjithëpërfshirës reforme për sektorin hekurudhor, duke shtruar themelet për zgjidhje moderne, efikase dhe të gjelbra të transportit. Infrastruktura bashkiake është po aq e rëndësishme për një model ekonomik të integruar dhe të qëndrueshëm. Ne po mbështesim zhvillimin e projektit të ashtuquajtur “Porta drejt Alpeve”, duke ofruar një grant asistence teknike prej 2,75 milionë eurosh për Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), për përgatitjen e një programi investimesh me përparësi që do të mbështetet nëpërmjet një kredie të BEI-së. Ky program përqendrohet në zonën përgjatë Liqenit të Shkodrës, e cila është porta kryesore drejt Alpeve Shqiptare. Projektet e planifikuara do të sigurojnë infrastrukturë mjedisore, transport lokal, urban dhe turistik në qarqet Shkodër dhe Lezhë, duke nxitur rritjen social-ekonomike, duke përmirësuar ndërlidhjen, duke rritur cilësinë mjedisore dhe duke forcuar tërheqjen turistike të rajonit.
Si e mbështet BEI-ja procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si banka e BE-së
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin fusha të ndryshme, nga qeverisja e mirë deri te politika fiskale dhe kapacitetet institucionale. Këto reforma do të përmirësojnë klimën e biznesit, do të tërheqin investime të huaja dhe do të forcojnë integrimin e tregut. Duke qenë banka e BE-së, EIB Global e mbështet anëtarësimin e Shqipërisë duke financuar projekte që nxisin rritjen, qëndrueshmërinë dhe ndërlidhjen, në përputhje me standardet sociale dhe mjedisore të Bashkimit Evropian. Ne kombinojmë kreditë me grantet e BE-së në kuadër të Team Europe, duke vënë në përdorim financimin e granteve nëpërmjet Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, për të ndihmuar gjithashtu Shqipërinë të absorbojë 490 milionë euro të disponueshme për projekte me përparësi në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së. Raportet e fundit të zgjerimit të Komisionit Evropian theksojnë se rajoni është duke u futur në fazën e zbatimit të Planit të Rritjes, në të cilin kapaciteti për të realizuar projekte në shkallë të gjerë është shumë i rëndësishëm. EIB Global e mbështet këtë proces nëpërmjet shërbimeve të konsulencës, duke e ndihmuar Shqipërinë të krijojë kapacitete, të zhvillojë strategji sektoriale dhe investime me përparësi që nxisin aftësinë konkurruese dhe qëndrueshmërinë.
Cilat janë planet tuaja lidhur me sektorët apo fushat ku synoni të investoni?
EIB Global ka qenë një partner i besuar për Shqipërinë që nga viti 1998, duke investuar mbi 400 milionë euro në pesë vitet e fundit për të mbështetur sektorë kyçë, si transporti i qëndrueshëm, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, energjia dhe uji. Ne jemi gati të bëjmë edhe më shumë, duke u përqendruar në projekte strategjike në hekurudha, dixhitalizim, zhvillim urban dhe energji të gjelbër. Në sektorin e transportit jemi duke avancuar me përgatitjen e Korridorit 8 të Hekurudhës nëpërmjet asistencës sonë teknike përgjatë segmentit Rrogozhinë–Përrenjas–Pogradec, si dhe nga Pogradeci deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut. Në sektorët e energjisë dhe mjedisit jemi duke bashkëpunuar me partnerë të tjerë për të ndihmuar Shqipërinë të përafrohet me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Së shpejti do të vlerësojmë rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, si dhe projekte të tjera të prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike, si edhe infrastrukturën për t’u mbrojtur nga përmbytjet. Në fushën e ndërlidhjes dixhitale, planifikojmë të financojmë zgjerimin e rrjetit të internetit me brez të gjerë në të gjitha zonat e vendit. Si përfundim do të intensifikojmë përpjekjet tona për bizneset e vogla dhe të mesme, për të nxitur aftësinë konkurruese, potencialin e inovacionit dhe rritjen e tyre.
/Gazeta Panorama


