GJKKO ka dënuar me burg avokatin Bardhi Koçi për ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe qytetaren Pranvera Meshi, e cila i dha para për të ndikuar te një gjyqtar.
Më konkretisht, Gjykata e Posaçme e dënoi me 2 vite 6 muaj burg, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, iu ul në 1 vit e 8 muaj burg. Në fund, gjykata vendosi që të pezullojë vendimin me burg, duke e lënë në shërbim prove për 3 vite e 4 muaj me kusht që të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale.
Po ashtu, gjykata i hoqi të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit për një periudhë prej të paktën 3 vitesh, ndërsa i është hequr edhe masa e detyrimit të paraqitje në policinë gjyqësore.
Qytetarja Pranvera Meshi u dënua me 1 vit burg, në gjykim të shkurtuar 8 muaj burg. Edhe Meshi s’do të bëjë burg pasi gjykata pezulloi dënimin. Ajo do të duhet vetëm të paraqitet në policinë gjyqësore.
Sipas SPAK, Bardhi Koçi kishte kërkuar dhe përfituar para në disa raste me qëllim ndërhyrjen në vendimmarrje të funksionarëve të drejtësisë. Në një rast, ai kërkoi 1500 euro dhe ka përfituar 1000 euro nga Pranvera Meshi, e cila ndodhej nën gjykim në Gjykatën e Tiranës për falsifikim të dokumenteve shëndetësore, me qëllim ndikimin në vendimin e gjyqtarit që po shqyrtonte çështjen ndaj saj.
Në një episod tjetër, Koçi kërkoi 1300 euro nga shtetasi A.M., për të ndikuar te dy funksionarë të sistemit të drejtësisë në lidhje me një çështje që përfshinte shtetasen N.M., e arrestuar për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt.
Po ashtu, ai ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi R.G., për të ndikuar në përpilimin e një akti ekspertimi kimik nga Instituti i Policisë Shkencore, lidhur me një sasi lënde narkotike të sekuestruar nga një tjetër i dyshuar.
Njoftimi i plote:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve: Bardhi Koçi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (në tre episode), të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4, i Kodit Penal dhe Pranvera Meshi, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2, i Kodit Penal”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Erjon Bani dhe Elsa Ulliri me vendimin nr. 81, datë 17.12.2025 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bardhi Koçi, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (në episodin 1), të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bardhi Koçi, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (në episodin 2), të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bardhi Koçi, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (në episodin 3), të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
4. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, në bashkim të dënimeve dënimi i të pandehurit Bardhi Koçi me një masë të vetme prej 2 (dy) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.
5. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr. Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 1 (një) vit e 8 (tetë) muaj burgim.
6. Në aplikim të neneve 30/5 dhe 35, të Kodit Penal, dhënien e një dënimi plotësues, heqjen e së drejtës për të pandehurin Bardhi Koçi, për të ushtruar funksionin e avokatit për një periudhë prej 3 (tre) vitesh.
7. Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të mëtejshëm të vendimit me burgim për të pandehurin Bardhi Koçi duke u detyruar që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës. Vënia në provë e të pandehurit për një periudhë kohe prej 3 (vite) e 4 (katër) muaj, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
8. Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, detyrohet i pandehuri që gjatë kohës së provës:
a). T’i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës;
b). Të marrë pëlqimin në Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës për ndryshimin e
vendbanimit.
9. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” sipas vendimit Nr.61006-00434-002025 akti, datë 29.07.2025, të Gjykatës së Lartë.
10. Deklarimin fajtore të të pandehurës Pranvera Meshi, për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e saj me 1(një) vit burgim.
11. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar e pandehura përfundimisht me 8(tetë) muaj burgim.
12. Në zbatim të nenit 52/a/1 të Kodit Penal, gjykata urdhëron përjashtimin nga vuajtja e dënimit për të pandehurën Pranvera Meshi.
13. Në bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” caktuar me vendimin nr.10, datë 27.02.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
14. Lidhur me Provat materiale bazuar në nenin 190 të K.Pr.Penale, gjykata disponon si më poshtë ku:
-1 (një) aparat telefonik celular i markës Iphone 13, model MLPH3B/A, me nr. serial **, me IME1 *, me IMEI2 ***, në përdorim të shtetases Pranvera Xh. Meshi, i kthehet të pandehurës Pranvera Meshi;
-1(Një) USB e markës “Verbatim”, me numër serial **, e aktit të ekspertimit nr.209, datë 23.07.2025, mbetet pjesë e akteve të dosjes.
15. Në bazë të nenit 224 të K.Pr.Penale, CD e Përgjimeve dhe CD me të dhënat nga kompanitë celulare, mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor.
16. Shpenzimet hetimore në masën 5258.1 (pesë mijë e dyqind e njëzet e tetë pikë një) lekë si dhe ato gjyqësore (sipas proçesverbalit bashkëlidhur), ju ngarkohen solidarisht të pandehurve.
17. Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.


