Kreu i NCA-së në Britaninë e Madhe pret në takim drejtuesin e SPAK-ut Altin Dumani, duke e nderuar edhe me një medalje lëvdate për guximin dhe lidershipin e treguar në luftën kundër krimit të organizuar dhe në ndjekjen e drejtësisë në Shqipëri.
Takimi është mbajtur këtë javë, ku Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë konfirmon nëpërmjet një deklarate për shtyp në rrjetin social, se Graeme Biggar, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Mbretërinë e Bashkuar ka pritur Dumanin.
Bashkë me drejtuesin e SPAK ka qenë edhe kreu i ri i BKH-së, i zgjedhur sot nga KLP, Joni Keta.
Postimi i plotë i Ambasadës së Britanisë:
“Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) të Mbretërisë së Bashkuar, z. Graeme Biggar, këtë javë priti kreun e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar të Shqipërisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (z. Altin Dumani) dhe Drejtorin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (Joni Keta).
Biggar i ka dhënë një medalje lëvdate z. Dumani për të njohur lidershipin e tij dhe për të nderuar guximin dhe integritetin e tij në luftimin e Krimit të Rëndë dhe të Organizuar dhe në ndjekjen e drejtësisë”.


