Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ishte i pranishëm në Dëgjesën Jubilare të Papa Leoni XIV, zhvilluar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Ministri e përshkroi si një nder të jashtëzakonshëm mundësinë për të dëgjuar nga afër Atin e Shenjtë përpara mijëra besimtarëve të ardhur nga e gjithë bota.
Gjatë vizitës, Gonxhja u shpreh se pati kënaqësinë ta falënderonte Papën për vëmendjen e treguar ndaj vlerave të kulturës shqiptare, si edhe për ftesën e veçantë të Selisë së Shenjtë, që mundësoi jo vetëm takimin e përzemërt, por edhe një përshëndetje të posaçme të Papës drejtuar përfaqësuesve të komunitetit arbëresh.
Sipas ministrit, mesazhi i Papës për solidaritet dhe shpresë “mbushi zemrat e pelegrinëve të pranishëm dhe të gjithë audiencës botërore”, duke e bërë këtë ngjarje një moment të veçantë frymëror dhe kulturor.
Postimi i ministrit Blendi Gonxhja
Në Dëgjesën Jubilare të Papa Leone XIV, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, ku përveç nderit të jashtëzakonshëm për ta dëgjuar nga afër Atin e Shenjtë përpara mijëra besimtarëve nga e gjithë bota, pata kënaqësinë ta falenderoj për vëmendjen ndaj vlerave të kulturës shqiptare dhe ftesës speciale të Selisë së Shenjtë për të na mundësuar jo vetëm takimin e përzemërt por edhe një përshëndetje të Tij me grupin e përfaqësuesve të komunitetit arbëresh, në vijim të Ditës Kulturore të Arbëreshëve, në Romë! Mesazhi i Tij për solidaritet dhe shpresë mbushi zemrat e pelegrinëve prezent dhe gjithë audiencës botërore!


