Spitali Rajonal i Durrësit, ka dhënë një deklaratë për shtyp në të cilën sqaron se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale të 15-vjeçarit Erion Boba, i cili humbi jetën mbrëmjen e djeshme, 4 dhjetor, nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.
Spitali i Durrësit sqaron se reagimi erdhi pas disa publikimeve në media mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale më 25 nëntor, ditën kur ndodhi sherri mes adoleshntëve, “kanë ikur dritat”.
Sipas tyre, pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.
“Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme. Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh”, thuhet në deklaratë.
Ndër të tjera, spitali i Durrësit bën me dije se adoleshenti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.
DEKLARATË PËR SHTYP
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.
Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.
Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:
Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.
Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.
Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh.
Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes.


