Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua sot seanca paraprake për presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Metën. Në përfundim të seancës GJKKO vendosi të shtyjë çështjen e Ilir Metës për më datë 22 dhjetor.
Ndërkohë mësohet se Gjykata urdhëroi SPAK-un t’i dërgojë fashikujt e dosjes brenda javës.
Burime për Panorama Online raportuan më herët se Meta kërkoi në seancë të njihej me fashikullin e hetimit ndaj tij.
“Dua të njihem me fashikullin e hetimit. Jeni të lutur të më vendosni në dispozicion materialet”, u shpreh Ilir Meta gjatë seancës sot (5 dhjetor).
Më herët avokati i tij, Kujtim Cakrani tha se Meta do të jetë i pranishëm në çdo seancë gjyqësore, ndërsa dy ditë më parë, sikurse Veliaj, edhe kreu i PL kërkoi që të mos qëndronte në kafazin në sallën e gjyqit, duke e konsideruar si shkelje të të drejtave kushtetuese dhe të të drejtave të njeriut.
Në kërkesën depozituar GJKKO-së, thuhej se nëse nuk do të merrej parasysh kjo kërkesë, nuk do të merrnin pjesë në seanca.


