Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Posaçëm për Ilir Selmanin, i dyshuar për vrasjen e ish policit Santiago Malko.
Ilir Selmani u dënua në 16 nëntor të vitit 2023 me vendim të formës së prerë me 28 vite burg.
Për vrasjen e Santiago Malkos po gjykohet edhe Leonard Duka, i cili është në fazën përfundimtare të mbrojtjes.
Një ditë më parë Apeli rikonfirmoi edhe njëherë dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, një tjetër person i përfshirë në vrasjen e ish policit.
Vrasja
Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Malko u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij doli në skenë në Tetor të 2018, ku i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. Malko dyshohej se ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale.
DOSJA HETIMORE
Leonard Duka dhe Ervis Martinaj kanë pasur shoqëri prej rreth 15 vitesh me njëri-tjetrin dhe kanë bashkëpunuar me qëllim zhvillimin e biznesit në fushën e lojrave të fatit si dhe në administrimin e bizneseve të llojit, hotele, lokale në zonën e ish-Bllokut dhe të tjera të Tiranës.
Po kështu këta dy shtetas kanë bashkëpunuar edhe me qëllim zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikut të narkotikëve me qëllim përfitimi.
Por duket se kjo shoqëri mori fund pasi dhunimit që Santiago Malko, miku i Ervis Martinaj, i bëri babait të Leonard Dukës.
Duka që mesa duket nuk ia fali Malkos, këtë poshtërim.
Por organizoi vrasjen e tij, që nuk vonoi.
Dosja Hetimore
Konflikti midis Dukës dhe Martinaj ka nisur për shkak të një debati që Leonard Duka ka pasur me Santiago Malkon, shtetasin e vrarë me datë 27 Gusht 2019 në Tiranë.
I cili rezulton se ka dhunuar babain e Leonardit, shtetasin Muhamed Duka.
Santiago Malko që dyshohet se ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme ne fushën e trafikimit të narkotikëve dhe krimeve kundër jetës ishte lidhje e ngushtë e Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasit.
Pikërisht pas vrasjes së Santiago Malkos, Ervis Martinaj bën përgjegjës për ekzekutimin e mikut të tij Leonard Dukën dhe lidhjet e tij.
Nga ku Martinaj fillon të investohet për të vrarë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka dhe lidhjet e tyre shoqërore.
Ndërkohë që nga krahu tjetër këta persona investohen për të vrarë Ervis Martinajn, Erigers Mihasin dhe njohjet e tyre.
Dosja Hetimore
Nga analizimi i komunikimeve del se Fatmir Hyseni shfaqet si një person me eksperiencë në fushën e krimeve kundër jetës dhe është i angazhuar në mënyrë konstante për lokalizimin dhe vrasjen e Ervis Martinaj dhe lidhjeve të tij.
Më datë 10 Korrik 2020, Leonard Duka ka siguruar një informacion që Ervis Martinaj mund të jetë në plazh me një femër në Dhërmi tek një vend i njohur si ‘Vin Bakalli’.
Për këtë arsye ka njoftuar Fatmir Hysenin.
Dhe ky i fundit ka dërguar një person që i drejtohet me emrin ‘nipçe’ për të verifikuar këtë informacion.
Por ndërkohë që Ervis Martinaj po përgatitej të fuste në kurth Leonard Dukën, ky i fundit mëson për planin e kundërshtarit të tij.
Dhe organizohet ta zerë në befasi atë që deri dje ishte miku i tij. Por që tani ishte armiku më i betuar.
Dosja Hetimore
Në periudhën kohore duke filluar nga data 1 Gusht 2020 dhe në vazhdimësi Leonard Duka ka siguruar informacion që Ervis Martinaj ka angazhuar disa femra me qëllim për t’i afruar pranë tij që ta nxirrnin në pritë.
Për këtë arsye Leonard Duka njofton Fatmir Hysenin i cili angazhohet për planifikimin e vrasjes së personave që do të afrohen për të vrarë Leonardin.
Në këtë plan kanë marrë pjesë të gjithë pjesëtarët e grupit të drejtuar nga Leonard Duka ku ky i fundit do të luante rolin e ‘karremit’ i cili do të takohej me këto femra në një vend ku terreni është i njohur mirë nga ai vetë dhe lidhjet e tij.
Por vajzat nga Shkodra nuk erdhën në takim, dhe kështu plani duket se dështoi.
Ndërkohë që grupi i Leonard Dukës, mësoi se personi që do i fuste ata në kurth ishte Erigers Mihasi.
Edhe ky i vrarë në një atentat në Tiranë, disa kohë më pas.
Dosja Hetimore
Leonard Duka dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dyshuar se organizatori i takimit me vajzat atë ditë do të ishte Erigers Mihasi, i njohur me pseudonimin ‘Boli’ dhe një person tjetër që dyshohet se është punonjës policie që i thërrasin me emrin ‘Olci’.
Më datë 12 Gusht 2020, Leonard Duka ka kontaktuar me femrat me të cilat do të organizonte takimin por ato nuk janë treguar të disponueshme të takoheshin në këtë datë sepse njëra ishte në Shkodër ndërsa tjetra kishte angazhime.
VENDIMI I APELIT TE GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Valdete Hoxha (anëtare) dhe Edlira Petri (anëtare), sot më datë 04.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 21.07.2025 regjistrimi.
Kjo çështje është regjistruar pas prishjes nga Gjykata e Lartë të vendimit nr. 32, datë 14.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimit për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues – disponuar mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri/ankues B.T., ndaj vendimit nr. 05, datë 26.01.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 05, datë 26.01.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurit.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, sot më datë 04.12.2025.


