Biznesmeni Elman Abule, i cili është marrë i pandehur në dosjen e Erion Veliaj, është paraqitur në GJKKO, ku zhvillohet seanca paraprake për kryebashkiakun e Tiranës.
Biznesmeni akuzohet për pastrim parash në dosjen e Erion Veliajt dhe ndodhet nën masën e arrestit shtëpiak të vendosur ndaj tij me kërkesë të SPAK.
Ndërkohë Erion Veliaj akuzohet për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Ditën e sotme (5 Dhjetor) zhvillohet në GJKKO seanca paraprake për kryetarin e bashkisë së Tiranës.
Seanca e kaluar, ku Erion Veliaj ishte i pranishëm u shty për shkak të kërkesës së tij për t’u njohur me aktet e dosjes.
Ai kërkoi gjithashtu që të të mos vendosej në kafazin në sallën e gjyqit, duke e konsideruar si një shkelje të të drejtave të njeriut dhe kushtetuese.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për veprat penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Kujtojmë që më datë 3 nëntor Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.
Më 27 nëntor, ai iu drejtua sërish Kushtetueses duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë për masën ‘arrest me burg’.
Dosja
Prokuroria thotë se hetimet provuan marrjen e rryshfeteve nga Veliaj dhe Xoxa në 9 raste. “Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar e provuar se të pandehurit Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Veliaj dhe Xoxa i mohojnë akuzat.
Sipas SPAK, nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete “të cilat provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se i pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve”.
Prokuroria rendit në kërkesën për gjykim 13 akuza ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës: 9 raste të korrupsionit pasiv, si dhe akuzat për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, “fshehje pasurie” dhe “shpërdorim të detyrës”. Veliaj akuzohet gjithashtu se gjatë qëndrimit në qeli ka shkelur disa herë ligjin dhe se ka konsumuar elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, më shumë se një herë.
Edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion në të njëjtat raste ku përfshihet Veliaj, si dhe për pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim të aseteve. Prokuroria ka evidentuar blerje online të kryera prej saj në një vlerë prej 86.7 milionë lekësh, si dhe përdorim të shumave të mëdha cash jashtë sistemit bankar për pagesa qirash, pagash dhe aktivitete private.
“Provat e grumbulluara dëshmojnë qartë për disponimin dhe qarkullimin e të hollave në cash, jashtë sistemit bankar, në shuma të konsiderueshme dhe në prerje të mëdha, nga e pandehura Ajola Xoxa, bashkëshortja e të zgjedhurit vendor, Erion Veliaj. Këto shuma, të cilat vijnë si rezultat i përfitimeve të parregullta të siguruara për shkak të funksionit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, janë përdorur për të ushqyer ndër të tjera edhe aktivitetet private tregtare të subjekteve që kontrollohen nga bashkëshortja e këtij të fundit”, thuhet në deklaratën e SPAK.
Nën akuzë janë edhe biznesmenët apo bashkëpunëtorët e çiftit: Elman Abule, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu, Mirton Lika, Linda Kazani, Erald Simixhiu, Ina Goxhaj, Frosina Bollo, Valmir Xoxa, Adela Kondakçiu, Flutur Xhani dhe Fatjon Baci. Përveç tyre, ish-deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.


