Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 25 vite burg për Blendi Tetën, për vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Santiago Malko. Blendi Teta dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos më 27 gusht të 2019.
Teta u arrestua fillimisht pas dyshimeve për akuzat e moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, por më pas akuza ndaj tij ndryshoi në vrasje dhe dosja e tij u nda nga të dyshuarit e tjerë.
Prokuroria deklaroi se motivi i vrasjes ishte përplasja e dy grupeve kriminale që ishin në rivalitet për aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Nga njëra anë vëllezërit Duka e njerëzit e tyre, dhe nga ana tjetër ish-polici Malko.
DËSHMIA QË KA DHËNË PARA GRUPIT BLENDI TETA
Blendi Teta ka treguar se ka qenë duke darkuar në bodrumin e lokalit ‘La F…’, në zonën e Freskut, në afërsi të teleferikut, lokal i cili është në posedim të vëllezërve Leonard dhe Erlis D. Atë ditë kanë qëndruar pikërisht në bodrumin e këtij lokali, ku këta shtetas kanë një ambient që shërben si zyrë. Aty, këta shtetas kishin blerë mish të pjekur në hell dhe disa ushqime të tjera, të cilat i kanë konsumuar. Rreth orës 20:00, Leonardi dhe Erlisi i kanë thënë se do të çoheshin se kishin punë.
Tekstualisht: ‘Çohuni çuna, se kemi punë’. Më pas janë çuar nga zyra dhe kanë dalë të gjithë së bashku dhe kanë hipur në dy automjete. Njëri ka qenë automjet tip ‘Skoda Roomster’, ngjyrë e bardhë, me targë AA…, shifrat e tjera nuk i mban mend, me xhama të zinj mbrapa, të dyerve të pasme dhe xhamin e pasmë, si dhe një automjet tjetër tip ‘Golf 5’, ngjyrë gri, me disqe alumini, me targë AA 221 XB, automjet i cili ai di se i përket shtetasit E. Metani., të cilin e thërrasin ‘Visi i vogël’.
Shtetasi E. Metani. ka qenë me ata në darkë si më lart, por është çuar nga darka rreth 1 orë e gjysmë përpara tyre dhe është larguar. Në automjetin tip ‘Skoda Roomster’, ngjyrë e bardhë, ka hipur Blendi Teta, i ulur në sediljen e parë të pasagjerit, në anën e djathtë. Drejtues mjeti ka qenë shtetasi Ilir S., ndërsa në sediljen e pasme, pas Blendit, në anën e djathtë ka qenë i ulur shtetasi Leonard D. Dhe në krah të tij, pikërisht pas sediljes së shoferit, ka qenë i ulur shtetasi Erlis D. Ndërsa në automjetin tjetër tip ‘Golf 5’ kanë hipur shtetasit e tjerë dhe konkretisht, Aleksandër M., që e thërrisnin Aleksi, Oltian L., Dritan A., si dhe shtetasi me emrin Fatmir H, me pseudonimin ‘Doqa’.
Automjeti top ‘Golf 5’ ka ecur përpara automjetit ‘Skoda’ dhe ka vazhduar rrugën tek IKV-ja e më pas te Komisariati i Qarkullimit Rrugor, deri te Komisariati Nr.4. Ndërsa automjeti ‘Skoda’ ka ndjekur rrugën ‘Shefqet Kuka’ dhe ka dalë te rruga ‘Myslym Keta’, më pas ka marrë drejtimin për te Komisariati Nr.4, ku janë bashkuar sërish. Mjeti ‘Golf 5’ ka vazhduar lëvizjen përpara mjetit ‘Skoda’ dhe Leonardi i ka thënë Ilirit që drejtonte mjetin ‘Skoda’: ‘Ndiq Golfin’ dhe ai e ka ndjekur nga pas në drejtim të kryqëzimit të Alliasit dhe më pas kanë vazhduar lëvizjen në rrugën ngjitur me murin e Shkollës së Bashkuar në drejtim të ‘Oxhakut’. Tek ‘Oxhaku’ janë kthyer djathtas në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’, në drejtim të SHISH-it dhe Spitalit Nr.5. ‘Golfi’ ishte në lëvizje përpara automjetit ‘Skoda’ gjithë kohës dhe ata kanë vazhduar me ‘Skodën’ deri poshtë Spitalit të Fëmijëve.
Aty Leonardi ose Erlisi, nuk e mban mend saktë, i ka thënë Ilirit:
‘Ktheje se e ka parkuar te kazanët’. Aty në një rrugicë, në të majtë të rrugës ‘Kongresi i Manastirit’, përballë Spitalit të Fëmijëve, Iliri ka kthyer automjetin dhe më pas ka vazhduar lëvizjen përsëri me ngadalë në drejtim të Spitalit Nr.5 dhe ‘Oxhakut’. Më pas mban mend se kur janë kthyer, ‘Golfi’ ka vazhduar lëvizjen drejt rrugës ‘Bardhyl’. Sapo janë kthyer dhe kanë qenë duke ecur ngadalë, sërish në drejtim të Spitalit Nr.5, Iliri ka thënë: ‘Ja tek është X5- a’, duke treguar në drejtim të një automjeti tip ‘BMW X5’, ngjyrë e zezë, e parkuar në anën e djathtë të rrugës, afër një stacioni autobusësh, pa arritur në hyrjen kryesore të Spitalit Nr.5, në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’.
Blendi ka kthyer kokën instinktivisht dhe aty ka parë makinën që citohet më lart, që ishte e parkuar dhe pa persona në mjet.
Në këto momente, Erlisi dhe Leonardi që ishin në pjesën e pasme të ‘Skodës’, i kanë thënë Ilirit:
‘Ec parkoje pak më lart makinën’. Iliri ka ecur edhe pak metra, sapo kanë kaluar hyrjen e Spitalit Nr.5 dhe pikërisht para hyrjes së një kantieri ndërtimi, Iliri ka ndaluar automjetin duke e mbajtur ndezur. Në këtë vend ku kanë ndaluar Leonardi dhe Erlisi po shikonin në drejtim të automjetit ‘BMW X5’ dhe kanë thënë: ‘Do të qëndrojmë të katërt në makinë këtu për të ruajtur automjetin ‘BMW X5’ që ishte e parkuar’. Në këtë moment ka dalë roja i kantierit, i cili ka thënë të mos parkonin në atë vend pasi dilnin kamionët nga kantieri.
Në këto momente, Iliri ka ecur edhe disa metra më tutje ku ka parkuar në anën e djathtë të rrugës, sapo kalon kazanët e plehrave. Automjeti tip ‘Skoda Roomster’ ka qëndruar ndezur dhe Blendi ka zbritur nga vendi ku ka qenë ulur, në anën e djathtë përpara. Ka zbritur dhe ka qëndruar pak në këmbë anës makinës, ku ka pirë edhe cigare dhe i ka thënë Leonard D.: ‘Do të largohem’.
Këtë ia ka thënë pasi ka kuptuar se ata po ndiqnin automjetin ‘BMW X5’, ngjyrë e zezë dhe se do të ndodhte diçka. Leonardi i ka thënë se përse do të ikte dhe ai i është përgjigjur se do të ikte sepse nuk kishte lidhje me këtë punë. Është larguar deri te lokali që ishte ngjitur me hyrjen e Spitalit Nr.5.
Aty ka parë se Iliri ka zbritur një moment nga automjeti. Më pas ka hyrë në oborrin e Spitalit Nr.5 dhe ka vazhduar rrugën ‘Kongresi i Manastirit’, në trotuar në anën e Spitalit të Fëmijëve, ku ka ndaluar te kioska ngjitur me murin e spitalit dhe ka blerë një ujë. Aty është vendqëndrimi për taksi dhe ka hipur në një taksi, automjet ngjyrë i verdhë dhe ka shkuar në drejtim të bashkëjetueses së tij, Sonila V., në rrugën ‘Don Bosko’.
Kur taksia e ka lënë përpara hotel ‘F…’ në rrugën ‘Don Bosko’, është ngjitur në shtëpi dhe rreth 15 minuta pasi ka hyrë në shtëpinë e bashkëjetueses së tij, ka qenë duke parë televizor. Aty ka parë në lajme se i ishte bërë atentat me armë zjarri një automjeti ‘BMW X5’, ngjyrë e zezë, ku kishte mbetur i vrarë me armë një person. Aty ka kuptuar se bëhej fjalë pikërisht për automjetin, të cilin po e ruanin shtetasit Ilir S., Leonard D., Erlis D., si dhe personat që ishin në automjetin ‘Golf 5’, ngjyrë gri, me targë AA 221 XB. Ai (Blendi) është frikësuar në lidhje me ketë ngjarje dhe që nga ai moment, ka pasur frikë sepse kishte qenë pikërisht me këta persona para ngjarjes te vendi ku kishte qenë i parkuar automjeti ‘BMW X5’.
Ditën e nesërme, ai ka dalë përsëri në zonën e Freskut dhe në ditët në vijim dhe nuk ka takuar asnjë nga këta shtetas, përveç shtetasit E, Metani.. Kur e ka takuar E.Metani, ka biseduar me të dhe i ka thënë për të gjithë ngjarjen dhe veprimet para ngjarjes. Aty menjëherë E.Metani është trembur dhe i ka thënë se kishte hallin e automjetit ‘Golf 5’, ngjyrë gri, me targë AA 221 XB, pasi e kishte të regjistruar në emrin tij. Ky automjet kishte rreth 6 muaj që përdorej nga shtetasit Erlis dhe Le onard D., si dhe lidhjet e tyre shoqërore. Më datë 27 gusht 2019, ai ka pasur në përdorim një aparat celular të markës ‘iPhone 7’, ngjyrë e zezë dhe me kartë sim 0689030xxx, i cili i është fikur pasi nuk kishte bateri. Këtë aparat telefonik dhe numrin sim i ka thyer dhe i ka hedhur në një kazan plehrash, pasi ka pasur frikë.
Vëllezërit Leonard dhe Erlis D. i njeh prej 3 vitesh dhe ka marrëdhënie shoqërore. I ka njohur, pasi ka bërë shitjen e biznesit të tij ‘Max Loto’ te këta persona. Prej asaj kohe, ka marrëdhënie shoqërore me ta. Me shtetasin E Metani. njihet prej rreth 2 vitesh dhe e njeh pas vëllezërve D. Shtetasit Oltian L., Dritan A., Ilir S. i njeh sërish prej dy vëllezërve D., pasi ishin lidhje shumë të ngushta shoqërore të tyre, shtetasi Aleksandër M., kushëri i Leonardit dhe Erlisit. Ndërsa shtetasin Fatmir H. e njeh prej rreth 2 vitesh, pasi është shok i ngushtë i Erlis dhe Leonard D. Ka udhëtuar me këta shtetas në muajin gusht nga Prishtina në Tiranë.
DOSJA HETIMORE
Leonard Duka dhe Ervis Martinaj kanë pasur shoqëri prej rreth 15 vitesh me njëri-tjetrin dhe kanë bashkëpunuar me qëllim zhvillimin e biznesit në fushën e lojrave të fatit si dhe në administrimin e bizneseve të llojit, hotele, lokale në zonën e ish-Bllokut dhe të tjera të Tiranës.
Po kështu këta dy shtetas kanë bashkëpunuar edhe me qëllim zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikut të narkotikëve me qëllim përfitimi.
Por duket se kjo shoqëri mori fund pasi dhunimit që Santiago Malko, miku i Ervis Martinaj, i bëri babait të Leonard Dukës.
Duka që mesa duket nuk ia fali Malkos, këtë poshtërim.
Por organizoi vrasjen e tij, që nuk vonoi.
Dosja Hetimore
Konflikti midis Dukës dhe Martinaj ka nisur për shkak të një debati që Leonard Duka ka pasur me Santiago Malkon, shtetasin e vrarë me datë 27 Gusht 2019 në Tiranë.
I cili rezulton se ka dhunuar babain e Leonardit, shtetasin Muhamed Duka.
Santiago Malko që dyshohet se ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme ne fushën e trafikimit të narkotikëve dhe krimeve kundër jetës ishte lidhje e ngushtë e Ervis Martinaj dhe Erigers Mihasit.
Pikërisht pas vrasjes së Santiago Malkos, Ervis Martinaj bën përgjegjës për ekzekutimin e mikut të tij Leonard Dukën dhe lidhjet e tij.
Nga ku Martinaj fillon të investohet për të vrarë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka dhe lidhjet e tyre shoqërore.
Ndërkohë që nga krahu tjetër këta persona investohen për të vrarë Ervis Martinajn, Erigers Mihasin dhe njohjet e tyre.
Dosja Hetimore
Nga analizimi i komunikimeve del se Fatmir Hyseni shfaqet si një person me eksperiencë në fushën e krimeve kundër jetës dhe është i angazhuar në mënyrë konstante për lokalizimin dhe vrasjen e Ervis Martinaj dhe lidhjeve të tij.
Më datë 10 Korrik 2020, Leonard Duka ka siguruar një informacion që Ervis Martinaj mund të jetë në plazh me një femër në Dhërmi tek një vend i njohur si ‘Vin Bakalli’.
Për këtë arsye ka njoftuar Fatmir Hysenin.
Dhe ky i fundit ka dërguar një person që i drejtohet me emrin ‘nipçe’ për të verifikuar këtë informacion.
Por ndërkohë që Ervis Martinaj po përgatitej të fuste në kurth Leonard Dukën, ky i fundit mëson për planin e kundërshtarit të tij.
Dhe organizohet ta zerë në befasi atë që deri dje ishte miku i tij. Por që tani ishte armiku më i betuar.
Dosja Hetimore
Në periudhën kohore duke filluar nga data 1 Gusht 2020 dhe në vazhdimësi Leonard Duka ka siguruar informacion që Ervis Martinaj ka angazhuar disa femra me qëllim për t’i afruar pranë tij që ta nxirrnin në pritë.
Për këtë arsye Leonard Duka njofton Fatmir Hysenin i cili angazhohet për planifikimin e vrasjes së personave që do të afrohen për të vrarë Leonardin.
Në këtë plan kanë marrë pjesë të gjithë pjesëtarët e grupit të drejtuar nga Leonard Duka ku ky i fundit do të luante rolin e ‘karremit’ i cili do të takohej me këto femra në një vend ku terreni është i njohur mirë nga ai vetë dhe lidhjet e tij.
Por vajzat nga Shkodra nuk erdhën në takim, dhe kështu plani duket se dështoi.
Ndërkohë që grupi i Leonard Dukës, mësoi se personi që do i fuste ata në kurth ishte Erigers Mihasi.
Edhe ky i vrarë në një atentat në Tiranë, disa kohë më pas.
Dosja Hetimore
Leonard Duka dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dyshuar se organizatori i takimit me vajzat atë ditë do të ishte Erigers Mihasi, i njohur me pseudonimin ‘Boli’ dhe një person tjetër që dyshohet se është punonjës policie që i thërrasin me emrin ‘Olci’.
Më datë 12 Gusht 2020, Leonard Duka ka kontaktuar me femrat me të cilat do të organizonte takimin por ato nuk janë treguar të disponueshme të takoheshin në këtë datë sepse njëra ishte në Shkodër ndërsa tjetra kishte angazhime.
VENDIMI I APELIT TE GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj (kryesuese), Valdete Hoxha (anëtare) dhe Edlira Petri (anëtare), sot më datë 04.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 21.07.2025 regjistrimi.
Kjo çështje është regjistruar pas prishjes nga Gjykata e Lartë të vendimit nr. 32, datë 14.06.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe kthimit për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues – disponuar mbi ankimin e paraqitur nga i pandehuri/ankues B.T., ndaj vendimit nr. 05, datë 26.01.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 05, datë 26.01.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurit.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall në Tiranë, sot më datë 04.12.2025.


