Historiani Ferit Duka, ka folur mbi debatin e madh që bëhet prej dekadash në lidhje me datën se kur është çliruar Shqipëria, datë për të cilën janë të ndara edhe partitë politike.
I ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, Duka shprehet se gjithçka është e qartë për historianët, duke sqaruar se si datë e çlirimit duhet të njihet 28 nëntori 1944, ditë kur në Tiranë hynë udhëheqësit e kohës dhe mbajtën fjalimet respektive.
Ai ka sqaruar se debati ka lindur më vonë, pasi Partia Komuniste ka ndërruar datën, me qëllim që figurës së Enver Hoxhës të mos i “bëhej hije” nga figura e Ismail Qemalit.
“Ditë me simbolikë dhe domethënie të jashtëzakonshme, referencë themelore historike që bashkon shqiptarët. Unë nuk jam i periudhës së luftës që të bëj një diskutim kompetent për fundin e luftës. Debate më duken në një mënyrë të kota. Kjo sepse ne nuk duhet të diskutojmë se kur iku gjermani i fundit apo kur në të vërtetë është çliruar vendi.
Këto janë të qarta, më 28 nëntor 1944 u çlirua Shqipëria. PK dhe Hoxha hynë triumfalisht në Tiranë dhe mbajtën fjalime, kjo për mua është e vulosur. Më pas udhëheqja komuniste reflektoi që datë të vetën duhet të kishte edhe lufta, Hoxha donte që të mos i bënte hije Ismail Qemali, ndaj”, tha ai.
Historiani solli më tej edhe një këndvështrim historik të 28 Nëntorit, duke u ndalur tek rëndësia e kësaj ditë të rëndësishme për shqiptarët, 113 vjetorin e Pavarësisë.
Gjatë intervistës, Duka tha se është historia tashmë është e ditur edhe pse shtoi se puna kërkimore apo hulumtuese nuk mbaron asnjëherë.
“Puna kërkimore, hulumtuese, konkluzionet që nxirren nuk mbarojnë asnjëherë. Unë mendoj që ato që janë themelore për Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, janë thënë nga historia. Unë nuk them se kemi boshllëk shumë të madh, më tepër bëhen artificialisht sipas interesave. Por nga pikëpamja e interesit shkencor shumë çështje janë thënë. Por e theksoj se historia nuk mbaron në një datë të caktuar. Secili brez vjen në skenë me mendimet e veta, fuqinë e vet të kërkimit të analizës, veçoritë e kohës sepse ka të bëjë edhe koha kur studiohet historia. Sepse koha e komunizmit la gjurmët e veta. Solli ato rezultate, por solli edhe ato dëme që i ka korrigjuar historigrafia”, tha ai.
Nisida Tufa: A është e gatshme të bëjë historigrafia paqe me vetveten?
Historiani Duka: Unë mendoj që po. Ka kërkues të rinj që kanë meritën e tyre. Për zgjerimin e kërkimeve, për shqyrtimin e shumë burimeve. Pra mendohet se historigrafia ka mbetur në vend. Por jo ka punime që ndriçojnë nga një këndvështrim i ri…
Më tej u shpreh se është e natyrshme që gjithnjë të ketë oponencë apo pretendime për të thelluar studimet historike.
“Sipas mendimit tim, një gjë nuk kontestohet, Shqiptarët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në Luftën e Dytë Botërore. U rreshtua përkrah Aleancës Antifashiste Botërore që nuk ishte gjë e vogël. Sot është nder i madh që Shqipëria e ka sot në pasaportën e vet edhe për integrimet europiane. U rreshtua në anën e duhur të historisë. Askush nuk konteston dot që Shqipëria dhe shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë treguar shkallë të lartë humanizmi, besnikërie duke shpëtuar nga rreziku nazist kushedi sa hebrenj dhe familje hebrenjsh”, tha ai.


